Shqipëri/ 7 Marsi/ Ministrja e Arsimit bën urimin e veçantë: Çdo mësues është një hero!

07.03.2021 10:31:21

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka zgjedhur të urojë Ditën e Mësuesit nëpërmjet një videoje të veçantë, ku ajo vetë i është bashkuar një kolazhi urimesh e falënderimesh nga nxënës të shkollave të ndryshme të vendit.

Në mesazhin e saj, ministrja Kushi nënvizon se ky është një 7-Mars ndryshe nga herët e tjera për shkak të pandemisë.

“Sot është 7 Marsi, Festa e Mësuesit. Një 7 Mars ndryshe nga çdo herë tjetër. Një 7 Mars kur çdo nxënës e prind po ndjen sakrificën madhore të mësuesve tanë që do të mbahet mend shumë gjatë”. Duke uruar gjithashtu që çdo 7 Mars në të ardhmen të mos i ngjajë këtij të sotmit, por të vijë i mbarë, dhe ne të mund të dhurojmë lule e përqafime me njëri-tjetrin”, uron ministrja.

Kushi nënvizon se falënderimet e mirënjohja për mësuesit nuk mbarojnë asnjëherë: “Të dashur mësues! Falënderimet dhe mirënjohja për ju, asnjëherë nuk mjaftojnë! Sepse çdo mësues është një hero! Një hero që të merr për dore, të ndriçon e bëhet udhërrëfyesi yt!”-mbyll mesazhin e saj ministrja Evis Kushi.