Shqipëri: Akuzat ndaj ministrit Xhafaj, Basha-Lu shfaqen krah njëri-tjetrit

18.05.2018 23:16:14

Në një kohë kur opozita po sulmon prej ditësh mazhorancën për shkak të çështjes “Xhafaj”, është rishfaqur në një aktivitet publik ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu. Një nga kritikët më të ashpër të politikës shqiptare, nuk ka folur akoma për rastin e fundit të ministrit të Brendshëm, por diplomati amerikan, nuk ka ngurruar të qëndrojë në krah të kreut të opozitës, Lulzim Basha.

Ish-Presidenti Bujar Nishani, kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe Ambasadori i SHBA-së, Donald Lu u shfaqën krah për krah njëri-tjetrit në një aktivitet ku është dekoruar Drejtori i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael D. Granoff.

Nuk ishte një takim nga ata të zakonshmit në lidhje me aktualitetin politik, por pjesëmarrje në një aktivitet.

Mësohet se Basha dhe Lu nuk kanë diskutuar apo biseduar me njëri-tjetrin, duke respektuar aktivitetin deri në fund.

PD publikoi një video ku shfaqej vëllai i ministrit të Brendshëm në një bisedë lidhur me trafikun e drogës. Mazhoranca e ka cilësuar materialin një inskenim, ndërsa kryeministri Rama deklaroi se bëhet fjalë për një montim, duke folur për një ekspertizë që i është bërë audio-përgjimit nga një studio ndërkombëtare.