Shqipëri: Arrestimet e protestuesve, bllokohet rruga tek Drejtoria e Policisë Tiranë

02.04.2018 11:00:52

Prej më shumë se 24-orësh vijon protesta e qytetarëve para Drejtorisë së Policisë në Tiranë. Ata kërkojnë lirimin e 23 personave të arrestuar për protestën e zhvilluar në Rrugën e Kombit.

Mësohet se protestës së qytetarëve i janë bashkuar edhe deputetë demokratë. Policia ka zhvendosur protestuesit nga trotuari në rrugë, duke u bërë shkak për bllokimin e qarkullimit normal të makinave. Fillimisht protestuesit qëndruan në trotuar, por policia ka kërkuar zhvendosjen, me justifikimin se bllokojnë kalimin e qytetarëve të tjerë.

Nga ana tjetër, institucioni i Avokatit të Popullit ka zhvilluar gjatë gjithë ditës së djeshme  vizita inspektuese në dhomat e paraburgimit ku ishin qytetarë të ndaluar pas pjesëmarrjes në protestën e djeshme në Rrugën e Kombit.

Avokati i Popullit u ka kërkuar autoriteteve policore që të bëjnë trajtimin ushqimor dhe shëndetësor të të ndaluarve që ndodhen në mjediset e paraburgimit për të shmangur klasifikimin e gjendjes së tyre si trajtim çnjerëzor.

Elementi tjetër shqetësues nga ana proceduriale në rastin e arrestimeve të qytetarëve nga Kukësi që ndodhen aktualisht në komisariatet e Tiranës, është mungesa e dokumentacionit shoqërues për ndalimin e tyre dhe mos-vënia formalisht në kohën e duhur në dijeni e të ndaluarve për arsyet e ndalimit.