Shqipëri: Artistët i bëjnë peticion kryeministrit, kërkojnë rritjen e buxhetit për kulturën

20.11.2017 23:18:28

Një grup artistësh i janë drejtuar me anë të një peticioni kryeministrit Edi Rama ku shprehin shqetësimin për buxhetin mbi kulturën. “Ne artistët dhe punonjësit e sektorit të arteve dhe kulturës në Shqipëri, jemi thellësisht të shqetësuar për gjendjen e infrastrukturës, financave dhe kuadrit ligjor të këtij sektori.

Problemet e akumuluara prej 27 vitesh janë bërë pengesë shumë serioze për zhvillimin normal të artit dhe kulturës, por edhe dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme të ardhmen e tyre.

Ne jemi të vetëdijshëm se kombi ynë ka mbijetuar në udhëkryqet e historisë, më së pari në sajë të gjuhës dhe identitetit të tij kulturor, krejtësisht të dallueshëm prej fqinjëve dhe se është pikërisht ky identitet kulturor që do të na ndihmojë të integrohemi në familjen europiane me kokën lart, gjë që nuk mund të thuhet për ekonominë apo institucionet e tjera”, thuhet në peticion. Sipas tyre, sektori i arteve dhe kulturës, që sot në Perëndim thirret “industri krijuese”, nuk është dhe nuk duhet të konsiderohet si shpërdorues i fondeve publike. Përvoja e Europës së qytetëruar na mëson se aty ku ka më shumë investime publike në kulturë dhe art, aty ka më pak kriminalitet, qytetarët ndjehen më të motivuar për punë, gëzojnë shëndet më të mirë dhe nuk kanë dëshirë të largohen nga qyteti apo vendi, turizmi lulëzon, imazhi i vendit është më i mirë dhe niveli i investimeve më i lartë. Për këto arsye, qeveritë laburiste britanike të Tony Blair dhe Gordon Broën, e rritën financimin e arteve me 35% çdo vit, për 13 vjet me radhë. “27 vjet më parë, artistët ishin ndër të parët që iu bashkuan thirrjes së studentëve “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Të gjithë shpresuam se arti dhe kultura nuk do të ishin më “rripa transmisioni të partisë”, por një sektor dhe

komunitet i respektuar i shoqërisë, i trajtuar me dinjitet nga qeveria. Fatkeqësisht, në këto pothuaj tri dekada, qeveritë kanë bërë gjithçka për t’i dekurajuar artistët dhe punonjësit e artit e kulturës, për t’ua vështirësuar jetën dhe punën, duke i detyruar të ndryshojnë zanat, apo më keq akoma, të emigrojnë pa kthim jashtë vendit. Buxheti për kulturën u reduktua derisa arriti një nivel më i ulët se ai i Kosovës, ndërkohë që shumica e nismave ligjore të premtuara nuk u materializuan. Me keqardhje vërejmë se situata në këtë sektor nuk ka qenë kurrë më e keqe se sot. 27 vjet pasi thirrëm “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ne e gjejmë veten aq larg Europës, saqë thirrja jonë sot është “E duam Shqipërinë si Maqedonia”. Po, i nderuar z. Kryeministër, sepse Maqedonia fqinje, një vend me popullsi dhe prodhim kombëtar më të vogël se Shqipëria, ka një buxhet për kulturën plot 4 herë më të madh se ai i Shqipërisë: 63 milion euro, kundrejt 15 milion euro (2 miliard lekë në Projekt-buxhetin 2018)! Në Maqedoninë fqinje ka investime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe papunësia e artistëve nuk ekziston.

Duhet të ndjehemi të gjithë të turpëruar për faktin se në periudhën e tranzicionit në Maqedoni janë ngritur dy teatro shqiptare (në Tetovë e Kumanovë), ndërsa në Shqipëri janë mbyllur dy teatro shqiptare (në Berat e Peshkopi). Për sa më lart, ne kërkojmë që Shqipëria të ketë, në vitin 2018 e në vazhdim, një buxhet të barabartë me

Maqedoninë. Ne kërkojmë që i gjithë kuadri ligjor të përditësohet dhe plotësohet përmes një dialogu të institucionalizuar qeveri-komunitet, bazuar në përvojat më të mira perëndimore dhe jo të

imponohet nga lart poshtë, të shfrytëzohet për fasadë dhe për të ruajtur këtë status quo”, thuhet në peticion.