Shqipëri/ Çfarë po ndodh në Fier? Policia blindon qytetin që prej orëve të pasdites

13.05.2020 23:01:25

Që prej orëve të pasdites, Policia ka blinduar qytetin e Fierit. Shumë kontrolle janë kryer në disa kryqëzime, por pa dhënë asnjë shpjegim nëse flitet për ndonjë operacion specifik, apo në kuadër të ndonjë plani masash.

Gjithsesi, burime të ndryshme kanë treguar se policia ndalonte makina të dyshimta dhe ushtronte kontroll ndaj personave dhe automjeteve. Ndërkohë, shumë video janë postuar në rrjete sociale. Vetë Policia nuk ka dhënë asnjë shpjegim konkret.

Të pyetur përmes linjës telefonike, drejtues të Policisë së Fierit thanë për gazetën Shqip se këto janë kontrolle rutinë. Ndërkohë, edhe në disa qytete të tjera të vendit janë ushtruar kontrolle.

Bëhet e ditur se policia ka ndërmarrë një operacion për kapjen e personave në kërkim, përmes një liste që është bërë e ditur në qarqet policore, por pa u zbardhur si emra nga mediat.