Shqipëri/ “Deti”, protestë kundër marrëveshjes me Greqinë para Kryeministrisë

03.02.2018 12:22:37

Vala e reagimeve kundër marrëveshjes së re të detit me Greqinë, që pritet të firmoset në muajin prill gjatë takimit Rama-Tsipras është konkretizuar me një protestë, që është zhvilluar përpara Kryeministrisë.

Aty janë mbledhur dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët mbajnë në duar flamuj kombëtar dhe harta të Shqipërisë etnike.

Fillimisht protestuesit kënduan himnin kombëtar dhe më pas shpalosën parulla si “Atdheu në rrezik”, apo “Shitët detin dhe Çamërinë”.

“Këta po na marrin pronën, po falin detin, por nuk mund të na marrin dot ne, pasi ne nuk do ta lejojmë. Ne nuk vëmë autobusë si partitë politike, ndaj shumë nuk kanë pasur mundësi të na bashkohen në këtë protestë, por ata janë me ne. Ne nuk do të na ndalin”, u shpreh një prej protestuesve.

Ndërkohë përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama është thirrur në kor: “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”.