‘Shqipëri/ Drejtësia’, Kryemadhi: Besuam te Rama dhe ndërkombëtarët, por u zhgënjyem

26.07.2018 11:41:57

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, nëpërmjet një deklarate zyrtare thekson se propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse kambana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare,. Kryemadhi sulmoi edhe ndërkombëtarët, duke akuzuar se ‘i paguhen prurësit më të parë’.

“E gjithë propaganda qeveritare për suksesin imagjinar të Reformës në Drejtësi nuk është gjë tjetër veçse kambana e alarmit për kufomën e drejtësisë shqiptare, që Edi Rama dhe një grusht ndërkombëtarësh na bënë peshqesh në vend të një reforme që do të përmirësonte sistemin.

Ajo që nisi si një gjueti shtrigash për orët dhe çantat e prokuroreve dhe gjykatësve, që dukej se kishin më shumë rëndësi se bandat dhe kriminelët që ende qarkullojnë të lirë me bekimin dhe sponsorizimim personal të Edi Ramës. Ajo që duhej të ishte një betejë parimore për sistemin e drejtësisë u shndërrua në betejë personale me emra të përveçëm, që as më pak e as më shumë kishin prishur pazaret e qeveritarëve dhe jo vetëm.

Pjesa dërrmuese e politikës, përfshirë dhe mua personalisht besuam dhe votuam se kjo reformë do të funksiononte. Por kë besuam realisht? Besuam Edi Ramën dhe një grusht ndërkombëtarësh që ‘i paguhen prurësit më të parë’, që sot në ikje e sipër na lanë veç standardeve të dyfishta në përzgjedhjen e atyre që mbeten apo ikin nga sistemi, një Shqipëri aspak më të mirë se ajo që gjetën kur erdhën këtu.

As dhimbja fallco që ata ndiejnë për kolapsin ku është futur drejtësia, as dashuria po aq e shtirur për Shqipërinë nuk e mbulojnë dot me përfitimin e drejtpërdrejtë apo të ndërsjellë nga ky vend që sot lëngon nën një regjim qe ka në duart e tij çdo pushtet”, deklaroi Kryemadhi.