Shqipëri/ Financimet e partive/ Ja kush duhet të kthejë paratë e zgjedhjeve të 30 Qershorit

28.07.2019 09:32:00

Si çdo fillim fushate, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bën ndarjen e parave për partitë politike, që janë përcaktuar më parë në Buxhetin e Shtetit, ndërsa ndarja realizohet përmes përqindjeve që kanë marrë partitë në zgjedhjet e kaluara.

Këtë 30 qershor, që zgjedhjet ishin pa pjesëmarrjen e të paktën dy partive kryesore të opozitës, por edhe disa partive të tjera që janë pjesë e partive opozitare, shumë para janë kursyer në buxhet.

Por, ka edhe nga ato parti që fituan para 30 qershorit dhe thasmë duhet të rikthejnë paratë, sepse nuk arritën të marrin numrin e votave të katër viteve më parë.

Shpallja e rezultateve të 30 qershorit u pasua dhe me shpërndarjen e fondeve për partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje, ku Partia Socialiste i ka shtuar fitores së vet edhe një vlerë të majme parash nga buxheti i shtetit, që i janë dhënë nga KQZ.

Një nga vendimet e marra nga KQZ ishte edhe shpërndarja e fondeve të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019. KQZ vendosi të miratojë listën e partive politike që përfituan fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve dhe listën e partive politike që duhet të kthejnë fonde sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019.

Në votimet e 30 qershorit ishin parashikuar të shpërndaheshin 65 milionë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa nga përllogaritja finale rezulton se një votë e vlefshme është vlerësuar me 88 lekë.

Në bazë të kësaj përllogaritje, sipas KQZ, nga 44 subjekte, 27 prej tyre do të duhet të kthejnë paratë e përfituara paraprakisht, pasi në 30 qershor kanë marrë më pak vota se 4 vite më parë.

Fryma e Re Demokratike me kryetar Bamir Topin është partia që do të kthejë më shumë para, rreth 2.2 milionë lekë. Pas saj renditet Balli Kombëtar, Bashkimi Liberal Demokrat dhe Partia ORA e Shqipërisë, që do të kthejnë secila nga më shumë se 1 milion lekë të reja. Sa i përket kthimit të parave, afati kohor për kthimin e fondeve nga partitë politike, do të bëhet brenda 90 ditëve nga shpallja e vendimit të KQZ.

Partia Socialiste do të marrë pjesën më të madhe të parave, kjo për shkak të faktit se garoi e vetme ndër partitë e mëdha. Ky subjekt politik do të marrë më shumë para se ç’ishte parashikuar, rreth 9 milionë lekë të reja. Edhe partia më e re, Bindja Demokratike, duket se do të marrë shpërblimin e parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Bindja do të përftojë nga buxheti i shtetit 1.8 milionë lekë të reja.