Shqipëri: Gazetari Marin Mema, çmim për “Gjurmë Shqiptare”

16.12.2017 23:16:53

Pas Prishtinës, gazetari i Top Channel, Marin Mema është nderuar me një çmim të veçantë edhe në Itali.

Ky vlerësim u bë gjatë një aktiviteti që organizohet në mënyrë të përvitshme nga organizata nderkombetare “Rinia” dhe komuna e Riva del Gardës. Çmimi i është dorëzuar realizuesit të ciklit “Gjurmë Shqiptare” me motivacionin si gazetari më i mirë në fushën e kërkimit dhe shpluhurosjes së të vërtetave historike.

Mëse 700 emigrantë shqiptarë nga qytete të ndryshme të veriut të Italisë kanë marrë pjesë në këtë organizim, që konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në vendin fqinj.

“Ajo që mua më mbush sot me krenari është që pavarësisht largësisë, pavarësisht distancës, viteve, jetës së ndryshme që ka gjithësecili prej jush, jeni këtu, jeni krenarë që jeni shqiptarë dhe unë jam krenar që jam mes jush“, tha Marin Mema.

Aktivitete të tilla kanë për synim jo thjesht përafrimin e shqiptarëve në emigracion, por edhe realizimin e mjaft projekteve me karakter social në Shqipëri. Me këtë rast, në periudha të ndryshme janë bërë takime dhe realizuar projekte të ndryshme në Lezhë, Kavajë, Elbasan, Shkup e më tej.

Ky është vlerësimi i dytë në pak ditë për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, pas çmimit “Hasan Prishtina“, dhënë në Prishtinë.