Shqipëri: Heronjtë e Forcave të Armatosura për shpëtimin e njerëzve gjatë përmbytjeve u shpërblyen me dy byrekë në ditë

08.12.2017 10:44:59

Gjunkshi: Në 105-Vjetorin e krijimit të FA ushtarët marrin rrogën 200 mijë lekë

Përmbytjet që paralizuan Jugun e vendit, nxorën në pah paaftësinë e shtetit për të përballuar fatkeqësitë natyrore, por edhe gjendjen skandaloze, ku janë katandisur Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Edhe pse e kryen detyrën e tyre në mënyrë të përkryer, duke shpëtuar mijëra banorë e bagëti nga vërshimi i lumenjve, anëtarët e FA janë ndoshta punonjësit më të keq paguar në Shqipëri.

Madje në operacionet e ditëve të fundit, ku treguan një gatishmëri të rrallë për t’iu gjendur pranë banorëve të përmbytur me ndihmë të ofruar në forma të ndryshme, ushtarët e FA janë shpërblyer vetëm me nga dy byrekë në ditë. Mbi këtë skandal ka hedhur dritë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Xhemal Gjunkshi gjatë një interviste të dhënë për “Channel One”. Ai shtoi se kjo është vlera qesharake e dietës që është përcaktuar me ligj për këta heronjë të heshtur të këtij vendi. “Nuk mundet që një ushtarak të cilit i jepet 20 mijë lekë të vjetra në muaj, 900 lekë të vjetra në ditë sa dy byrekë, të shkojë të qëndrojë gjithë ditën dhe të presësh rezultate shumë profesionale. Ata, sigurisht e kanë bërë, por në kushte shumë të vështira. Ju lutem, kjo punë nuk duhet të vijojë më në këtë formë”, u shpreh Gjunkshi. Deputeti i PD me shqetësim theksoi se Forcat e Armatosura janë lënë në mëshirë të fatit nga qeveria e Edi Ramës dhe në Përvjetorin e 105-të të krijimit, në dispozicion të tyre kanë vënë buxhetin më të ulët ndër vite. “Buxheti nuk është i mjaftueshëm.

Është 0.86% e GDP-së, pasi aty janë shtuar tre shërbime: Shërbimet e sigurimeve shëndetësore, shërbimi i shëndetësisë dhe ai i emergjencave civile. Dhe themi pastaj se buxheti i mbrojtjes është 1.16%, jo, kurrë”, nënvizoi ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Trajtimin skandaloz që po i bëhet ushtarakëve në Shqipëri, Gjunkshi e ka cilësuar edhe si arsyen kryesore se përse katër ushtarë në Londër vendosën të dezertonin. “Pagat e ushtarakëve janë minimale. Janë paga që kanë sakrifica të mëdha, përkushtim të madh, obligim i madh, por benefiti që marrim ne nga ushtarët është i madh megjithëse, mbështetja e dhënë ndaj tyre është jo në nivelin që kërkohet”, theksoi ai.

Në këtë intervistë të gjatë, që nxorri në pah gjithë problemet e Forcave të Armatosura, Gjunkshi i bëri thirrje organeve ligjzbatuese që në mënyrë imediate të hetojnë abuzimet e kryera në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë mandatit të parë të qeverisë së Edi Ramës. “Faktet janë shumë tronditëse, për të cilat Prokuroria shqiptare ka të gjitha materialet e nevojshme për të filluar procedura, për ti ndëshkuar shkelësit dhe jo për t’i lënë të argëtohen apo gradohen në detyra të tjera të larta shtetërore”, deklaroi Gjunkshi.