Shqipëri/I prekur me COVID-19, trajneri Skënder Gega dërgohet me urgjencë drejt Turqisë

25.11.2020 15:17:01

Skënder Gega, trajneri i Kukësit, i infektuar prej më shumë se 10 ditësh me COVID-19, është nisur drejt Turqisë me urgjencë për shkak të problemeve shëndetësore.

Ky është lajmi që raportohet nga klubi i Kukësit ditën e sotme. Gega kishte pasur temperaturë gjatë gjithë kësaj periudhe, edhe për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Para kësaj gjendjeje është vendosur që Gega të dërgohet drejt Turqisë, ku mjekët do të bëjnë maksimumin që gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.

Komunikatë e Klubit

Futboll Klub Kukësi njofton se trajneri Skënder Gega ka udhëtuar mëngjesin e sotëm drejt Turqisë. Gjendja shëndetësore e trajnerit u rëndua ditët e fundit dhe për një trajtim më të specializuar për mushkëritë, ka udhëtuar drejt Stambollit. Klubi i uron trajnerit shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në krye të skuadrës.