Shqipëri/ Ilir Meta sulmon reformën në drejtësi: Nuk pres nga SPAK dhe Prokuroria që të vijnë zgjedhje të lira

04.03.2021 12:56:56

Presidenti Ilir Meta ka shfrytëzuar një takim të organizuar me shoqërinë civile për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit për të sulmuar reformën në drejtësi. Ai deklaroi se nuk pret nga organet e drejtësisë që të garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Nuk pres nga drejtësia të vijnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme sepse i dimë të gjithë problemet që ka sistemi i drejtësisë dhe për vetë mënyrën se si është zbatuar Reforma e Drejtësisë. Nëse do kishte funksionuar Prokuroria dhe SPAK, nuk do kisha marrë iniciativat që kam nisur. Bundestagu ka vite që kërkon hetimin e krimeve zgjedhore, që ende nuk po hetohen plotësisht. Nëse nuk erdhi ajo drejtësi që prisnim për dosjet e Shijakut dhe të Dibrës, unë jam i bindur se nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, do të vijë dhe do të çlirohet edhe drejtësia nga kjo kapje e jashtëzakonshme dhe trysni politike”, deklaroi Meta.

Edhe pse votat e 25 prillit do të numërohen nga partitë ku bën pjesë edhe LSI-ja ai shtoi se “ka marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe do të marrë fund indiferenca jonë përballë parimit stalinist, që nuk ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”.