Shqipëri/ Inceneratorët, PD kërkon interpelancë urgjente me Gjiknurin: Bëni transparencë

11.02.2018 12:43:23

Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri lidhur me koncesionin e inceneratorëve të mbetjeve. Kërkesa zyrtare është depozitiar në Kuvend me firmën e kreut të grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho për seancën e radhës.

Në kërkesën e vet PD shpreh shqetësimin për mungesën e transparencës për mënyrën se si janë zhvilluar proceset e tenderimit dhe dhënies së koncesioneve si dhe lidhjet e kompanive fituese, çka sipas kësaj force politike ngrenë hije të mëdha dyshimi për ligjshmërinë dhe menaxhimin e tyre dhe lidhjen me politikën e qeverinë.

“Sot, kompania që ka fituar në mënyrë të dyshimtë koncesionin e inceneratorëve ka përfituar nga buxheti i shtetit 5.2 milionë euro për impiantin e mbetjeve në Fier, ndonëse ky i fundit nuk ka nisur akoma punën e banorët janë në protestë. Gjithashtu nga të dhënat e kontratës të bëra publike rezulton se qeveria do të detyrojë OSHEE që të blejë me një çmim të përcaktuar energjinë nga ky ent. Rrjedhimisht, shoqëria koncesionare do të përfitojë edhe nga shitja e energjisë elektrike, përpos përfitimeve të tjera, duke rënduar eventualisht edhe me rritjen e çmimit të energjisë për publikun”, thuhet mes të tjerash në kërkesën e depozituar në Kuvend.