Shqipëri: Incidente dhe tension, mbyllet pas 2 orësh protesta e opozitës

26.05.2018 15:12:43

Ka përfunduar thuajse pas 2 orësh protesta e PD, e cila nisi në orën 11 të paradites së sotme, ndërsa pas fjalës së kreut të opozitës, Lulzim Basha, protestuesit janë drejtuar pranë Ministrisë së Brendshme, ku ka pasur edhe përplasje mes efektivëve të policisë.

Protestuesit u grumbulluan fillimisht në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ku mbajti fjalën e tij edhe lideri i PD-së, Lulzim Basha. Ai bëri thirrje për t’u bashkuar kundër qeverisë në pushtet, që zhvat qytetarët dhe i shërben krimit e oligarkëve.

Më pas Basha ftoi protestuesit të marshojnë drejt qendrës së Tiranës, pranë ambienteve të Ministrisë së Brendshme, brenda të cilës ndodhej edhe ministri Fatmir Xhafaj.

Incidentet e para u regjistruan para kryeministrisë, teksa turma po largohej për te godina e Ministrisë së Brendshme. Disa protestuesë hodhën flakadanë dhe sende të tjera, drejt forcave të policisë, por që gjithçka përfundoi shpejt dhe qetësisht.

Forca të shumta policie që blinduan ministrinë e drejtuar nga Fatmir Xhafaj dhe u përplasen me protestuesit të cilët kërkuan të përparonin. Kur situata po përshkallëzohej Basha i cili ndodhej në selinë PD iu drejtua ministrisë për ti kërkuar të tërhiqen.

Pati dhe protestues që e kundërshtuan duke kërkuar të vijonin të qëndronin aty deri në largimin e Fatmir Xhafës, qëllim për të cilin kishin dalë aty.

Në selinë e PD-së, Basha mbajti edhe fjalimin përmbyllës të protestës, ku falënderoi protestuesit dhe tha se bashkë me ta sot foli edhe Europa, që refuzoi hapjen e negociatave me qeverinë e krimit.

Pas pak minutash ai doli sërish në shkallët e selisë demokratike, ku dënoi gjakosjen e kryeredakrotit të RD-së, Bledi Kasmi nga ana e policisë.

Lideri i opozitës njoftoi protestuesit e do t shkonte menjëherë të takohej me të dhe të plagosuit e tjerë të protestës sipas tij, në Spitalin Ushtarak.