Shqipëri-Izrael, publikohen formacionet zyrtare

07.09.2018 20:38:31

Kur kanë mbetur pak më tepër se 60 minuta nga starti i ndeshjes së parë të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, përballë Izraelit në “Elbasan Arena”, Panucci ka zyrtarizuar edhe formacionin.

Kështu në portë do të aktivizohet Thomas Strakosha, me numrin 1 të Lazios që ka fituar balotazhin me Etrit Berishën dhe është gati të mbrojë katërkëndëshin e Shqipërisë në “Elbasan Arena”.

Në mbrojtje, i zakonshmi Hysaj në të djathtë dhe Gjimshiti e Veseli në qendër, me këtë tb fundit që ka fituar balotazhin me Mavrajn, dhe në të majtë do të zbresë mbrojtësi debutues, Binaku.

Në mesfushë tekniku italian ka vendosur t’i besojë eksperiencës së Xhakës, Bashës dhe Memushajt, të cilët dinë të ruajnë balancat, duke mbyllur hapësirat në prapavijë dhe duke ndihmuar në organizimin e sulmeve.

Sa i përket sulmit, surpriza e vetme është ish sulmuesi i Skënderbeut, Enis Gavazaj, i cili do ta nisë takimin si titullar në të majtë të sulmit, duke përfituar nga mungesa e Eros Grezdës, që vjen pas një dëmtimi të gjatë dhe nuk do të jetë gati për takimin e sotëm.

Në të djathtë të këtij reparti do të luajë Jahmir Hyka, i cili do të mbajë edhe shiritin e kapitenit, pasi ka më shumë takime me Kombëtaren, ndërsa duelin shkodran për majën e sulmit e ka fituar sulmuesi i Oostendes në Belgjikë, Sindrit Guri.

Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Gjimshiti, Veseli, Binaku; Basha, Memushaj, Xhaka; Gavazaj, Hyka (C), Guri
Izraeli: Guy Haimov (GK); Eli Dasa, Ayad Habashi, Nisso Kapiloto, Bibras Natcho (C), Eran Zahavi, Beram Kayal, Munas Dabbur, Sheran Yeini, Taleb Twatha, Dor Peretz.