Shqipëri/ Kamp i 600 mijë emigrantëve, Noka: Mafia ka gati skafet për trafik njerëzish

20.06.2018 13:07:51

Raportimet e mediave gjermane për Shqipërinë, të gatshme për të pritur 600 mijë refugjatë nga Lindja me kapacitet aktuale që ofron, nuk janë pritur mirë nga opozita.

Në Komisionin e Sigurisë ka folur sot me tone të ashpra për këtë çështje deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili ka shprehur shqetësimin se pranimi i emigrantëve do t’i hapte rrugë trafikut të qenieve njerëzore nëpërmjet rrugëve detare.

“Zv.ministri është anëtar kabineti, prononcimi e ka dhënë ai që vendi ka kapacitet të presë 600 mijë refugjatë. Mafias i mbaroi ushqimi nga kanabisit, i është sulur kullave dhe i dyti është trafiku i qenieve njerëzore. Nuk është informacion paniku ai që po themi”, tha Noka.

Sipas ish-ministrit të Brendshëm në radhët e mafias shqiptare ka nisur mobilizimi me përgatitjen e skafeve për trafikun e emigrantëve dhe ky është një skandal i madh.

“300 skafe nga më modernet në Evropë, janë bërë gati nga mafia dhe Shqipëria do kthehet në një vend ku mafia do organizojë biznesin e trafikut të qenieve njerëzore. Shqipëria do bëhet vend që do kesh mall të shohësh shqiptarë se do jenë iranianë, pakistanezë dhe shqiptarët do jenë pakicë”, deklaroi Noka.