Shqipëri/ Kërkohet shtyrja e hetimit për Metën, debate pro dhe kundër në Komision

18.09.2019 11:14:16

Komisioni Hetimor Parlamentar për shkeljet e pretenduara nga presidenti Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokal ka miratuar kërkesën për shtyrje edhe me 2 muaj të afatit të hetimit.

Kërkesa për zgjatjen e punimeve të këtij Komisioni, u bë me argumentin se duhet pritur edhe dalja e opinionit nga Komisioni i Venecias mbi dekretin e Metës.

Ndërkohë deputeti i opozitës parlamentare, Adriatik Alimadhi kërkoi mbylljen e komisionit pasi Presidenti, sipas tij, nuk ka kryer asnjë shkelje.

“Ky komision nuk duhet të vazhdojë sepse nuk kemi elementet për të vazhduar me hetimin ndaj Presidentit sepse nuk kemi shkelje të rëndë. Presidenti nuk ka bërë ndonjë marrëveshje që prek të drejtat e qytetarëve të këtij vendi”, tha Alimadhi.

Kjo kërkesë është refuzuar menjëherë nga socialisti Ulsi Manja, kryetar i komisionit, i cili tha se është kërkuar zgjatja e punimeve të komisionit me të paktën dy muaj.