Shqipëri: Klajda Gjosha: LSI dënon dhunën ndaj grave dhe vajzave në Kuvend

19.12.2017 13:45:43

Pas SHBA-së dhe BE-së, edhe LSI ka dënuar dhunën e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat nga selia e LSI, deputetja Klajda Gjosha tha se dënon dhunën e ushtruar ndaj Kushtetutës.

Gjosha tha se dënon fyerjen dhe përdorimin që iu bë ditën e djeshme Prokurores së Përkohshëm që u zgjidh me vota të paligjshme. Ajo ndër të tjera tha se LSI është në kauzën për një drejtësi të pavarur dhe do të vazhdojë misionin.

“Mbështesim plotësisht deklaratat e bëra nga përfaqësitë e huaja diplomatike në vend që dënojnë dhunën e ushtruar në Kuvendin e Shqipërisë. Dua të theksoj se ne jo vetëm i mbështesim, por i dënojmë  njësoj si ata me shumë forcë dhunën e ushtruar ndaj Kushtetutës së Shqipërisë, si udhërrefyesin kryesor të funksionimit të një shtetit.

Dënojmë marrjen peng të reformës në drejtësi, të asaj reforme tek e cila besuan të gjithë qytetarët. Dënojmë dhunën e ushtruar ndaj grave dhe vajzave dhe dua të risjell në vëmendje tërheqjen me forcë që iu bë deputetës më të re të Kuvendit të Shqipërisë Floilda Kërpacit, madje duke e gjakosur atë, britamet e një nëne që tërhiqej nga policia e shtetit.

Dënojmë marrjen në polici të disa vajzave të reja që polotësonin në Rinas. Dënojmë fyerjen dhe përdorjen që iu bë një gruaje që u zgjodh me vota të paligjshme në krye të Prokurorisë duke e detyruar atë të bëhej pjesë e një loje të shëmtuar të Ramës, i cili përveç kryeministrit emëroi veten në krye të këtij institucioni. Ne jemi në kauzën për një drejtësi të pavarur dhe do të vazhdojmë misionin tonë me mjete demokratike për t’ia kthyer Shqipërinë gjithë qytetarëve” – tha Klajda Gjosha.