Shqipëri/ Kriza politike/ anëtarja e PE: Opozita tradhtoi votuesit, qeveria legjitime!

06.03.2019 00:40:18

Prej kohësh kriza politike që ka “mbërthyer” Shqipërinë, është reflektuar edhe në Bruksel, nga aty ku vijnë thuajse çdo ditë mesazhe për bashkëpunim në emër të interesit kombëtar dhe vazhdim të reformave.

Duket se Brukseli e ka të qartë se nuk do të ketë qeveri tranzitore apo zgjedhje të parakohshme në vend, në një kohë që në derë po “troket” qershori” dhe vendimi i BE-së për negociatat e anëtarësimit.

Së fundmi për krizën në Shqipëri ka reaguar Monica Macovei, Kryetarja e Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri.

Ndryshe nga ç’prentendon opozita në akuzat e saj, Macovei nënvizon se Shqipëria po përparon me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa shton faktin se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimi e sistemit të drejtësisë.

“Në cilësinë e Kryetarit të Delegacionit të PE në Komisionin Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, unë besoj fuqishëm se Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE dhe zbatimin e axhendës së reformave të BE. Unë besoj se qeveria e tanishme është në rrugën e duhur në transformimin e sistemit të drejtësisë në vend. Reforma e drejtësisë ka prodhuar rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shprehet ajo.

Ndërkohë, në vijim Macovei kritikon opozitën për revoltën që ka ngjizur, duke thënë se po prish imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

“Për fat të keq, veprimet më të fundit të opozitës rrezikojnë të rrënojnë ritmin e reformave të tilla dhe po dërgojnë mesazhin e gabuar te partnerët evropianë. Episodet e dhunshme në të cilat opozita ka sulmuar institucionet publike, si dhe gjuha që nxit dhunën e përdorur nga udhëheqësit e opozitës janë të papranueshme për çdo demokraci evropiane. Kjo është edhe më e rastësishme duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat të Shqipërisë dhe vendimin e ardhshëm për të hapur apo jo negociatat e pranimit”, thekson ajo.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se “Parlamenti shqiptar duhet të jetë platforma e vetme për diskutim politik”.

“Deputetët e opozitës kanë tradhtuar votuesit e tyre duke hequr dorë nga mandatet e tyre dhe kanë provuar se opozita nuk po punon drejt afrimit të Shqipërisë me BE. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 dhe raporteve të OSBE / ODHIR, si dhe vëzhguesve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, ne konsiderojmë që Parlamenti dhe qeveria shqiptare të jenë plotësisht legjitime”, thuhet në reagim.