Shqipëri/ Kriza politike/ Meta plas “bombën”: Për qytetarët e kombin e djeg mandatin!

24.05.2019 12:15:52

Përveçse i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që t’i shkojë në Presidencë për të dialoguar shtyrjen e zgjedhjeve, me të që është në gatishmëri të plotë për të ofruar një datë të re, Ilir Meta ka tronditur sërish politikën sot.

Kjo, pasi në rreshtat e komunikatës për mediat ku shpjegon me argumente pse duhet zgjidhje imediate e krizës politike, Presidenti rikthehet me idenë për “vetësakrifikim” në emër të interesit kombëtar.

Dhe kjo mund të ndodhë duke braktisur në mes mandatin si Kreu i Shtetit, për t’i dhënë fund ngërçit.

“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”, shkruan Meta.

Sipas tij, “askush nuk duhet të ketë frikë nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë që qëndron në themel të bashkëjetesës demokratike, pa garantimin e së cilës nuk mund t’i çelim as negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.