Shqiperi/ Lind agjencia e Kadastrës, Braçe – Qytetarëve: Do ta ndjek vet, s’do paguani asgjë!

06.04.2019 13:38:28

Shkrirja e Hipotekave dhe ALUIZNI-t nga qeveria shqiptare ka çuar në krijimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, drejtor i së cilës do të jetë Artan Lame, i cili u prezantua sot nga zv/kryeministri Erion Braçe.

Në fjalën e tij, Braçe theksoi se objektivi i qeverisë është zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre.

Sipas zv/kryeministrit është bërë një punë e mirë me legalizimet, por kjo është një betejë që do vazhdojë.

“Certifikimi i pronave është prioritet i qeverisë. Kemi bërë një punë shumë të mirë me legalizimet. Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur”, tha Braçe.

Ai premtoi se do ta ndjekë personalisht jo vetëm mbarëvajtjen e këtij institucioni por të gjithë koordinimin me institucionet e tjera, në mënyrë që qytetarët të mos zhvaten nga të korruptuarit.

“Ky proces nuk do të ketë sukses nëse nuk do të ketë bashkëpunim me gjithë aktorët. Bëj një apel, besoj që duhet ta kenë në vëmendje, bashkitë kanë marrë atribute të qenësishme, edhe për legalizimin dhe certifikimin e titujve të pronësisë, janë bashkitë që duhet të çojnë procesin përpara, të jenë të interesuara që procesi të përfundojë sa më parë të jetë e mundur. Dua të bëj apel edhe për agjencitë e tjera, apel edhe banorëve, kërkoni shërbim, mos paguani asgjë që nesër mund tu kthehet në të kundërt, vepër penale edhe për nëpunësit edhe për ata që mendon se mund ta blejë shërbimin mes parave, do ta luftojmë korrupsionin”, theksoi ai.