Shqipëri/ Luan Rama: Defektet e reformës në drejtësi përgjegjësi e gjithë klasës politike

23.07.2018 10:55:59

Zhvillohet sot seanca e fundit e Kuvendit për këtë sesion parlamentar. Në seancë mungojnë deputetët e PD-së, ndërsa ata të LSI kanë marrë pjesë. LSI ka kërkuar ndërprerjen e seancës me qëllim që të mbledhë grupin parlamentar.

Në fjalën e mbajtur zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama deklaroi se LSI nuk do të votojë ligjin për magjistratët.

“Shqipëria është pa gjykatë Kushtetuese, të Lartë dhe shumë shpejt do të gjendet në kolaps total.

Përgjegjësia është e të gjithë klasës politike. Nëse faji është i opozitës, po dy vite pas, shumica nuk ndjen asnjë përgjegjësi, që vendi është në këtë situatë skandaloze? Për faj të arrogancës së vet dhe veprimeve të njëanshme jemi në zgrip të funksionimit të institucioneve. Duhet të kishte një reflektim për të zbardhur përgjegjësinë tonë.

Po kush e krijoi problemin në Shkollën e Magjistraturës? Sot na kthehet t’i kthejmë pushtet atij institucioni, që jo vetëm nuk i takon pushtet, por përgjegjësia kryesore me problemet që ka krijuar, KLD-ja. Ju na thoni t’i japim jetë, qendrës më të korruptuar të sistemit të drejtësisë. Ligji parashikon që ky institucion nuk duhet të ekzistojë më.

Apo t’i japim autoritet vendimmarrjes prokurorit të përgjithshëm, sepse nuk projektuam hapat që duhet të ishin ndërmarrë. E gjitha ka qenë një skemë e organizuar për të kapur sistemin”, deklaroi ai.