Shqipëri: Lulzim Basha: Tahiri ka një pakt me Ramën për të shpëtuar

19.10.2017 12:47:25

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kërkuar sërish largimin e kryeministrit Rama, të cilin e konsideron si kreun e kupolës së mafies shtetëtore në vend.

Sa i takon akuzave ndaj Tahirit, Basha tha se po bën marrëveshje me Ramën për t’i shpëtuar drejtësisë. “Hapi i parë është largimi i Edi Ramës, krijimi i një qeveria antimafia dhe shkëputja e lidhjes së krimit me politikën”, tha Basha.

Basha tha se as shkarkimi dhe arrestimi i ish-ministrit Tahiri nuk është i mjaftueshëm për sa kohë që në krye të shtetit është “peshku i madh”.

“Rama është përfituesi i direkt i qindra milionë eurove të ardhura nga trafiku i drogës dhe të shfrytëzuara për zgjedhjet e qershorit, ndaj ka vetëm një rrugë: largimi i Ramës, formimi i një qeverie anti-mafie, që do të shembë qeverinë mafioze dhe do krijojë terrenin për zgjedhje të lira e të ndershme. Hapi i parë i domosdoshëm është largimi i Ramës, si përgjegjësi kryesor i kësaj situate, i cili ka përfituar financiarisht dhe politikisht nga kjo gjë, – tha Basha në një dalje për shtyp nga selia e PD-së. – Nuk ka shqiptar që të besojë se këto janë bërë me kokën e Tahirit e Xhafajt, por është vetëm Rama në krye, i cili është koka që mban të lidhur këto faktorë interesi, ndaj dhe lagimi i tij është i nevojshëm për t’i hapur rrugën një qeverie të ligjshme. Krijimi i një qeverie antimafie dhe shkëputja e lidhjeve të narko-shtetit”.

Basha u shpreh se Rama ka frikë ta shkarkojë apo të kërkojë arrestimin e Tahirit për një arsye: “Tahiri ka fakte, të dhëna, filmime, video dhe dokumente për përfshirjen e Ramës me bandat mafioze të Shqipërisë, ndaj ai e ka jetike marrdhënien me Tahirin, kështu që do përpiqet t’ia hedhë me një kosto të ulët dhe të vijojnë paktin e përbashkët. Por kjo nuk do të ketë sukses, sepse Partia Demokratike dhe opozita nuk do ta lejojë, deri sa peshku më i madh i ulur në karrigen e kryeministrit të largohet”.

Basha u ka bërë thirrje organeve të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë për vënien para përgjegjësisë së autorëve.

“Klani mafioz i Habilajve është i rrezikshëm, ndaj i bëj thirrje organeve të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë  që të vënë para drejtësisë kokat e këtij klani, duke nisur me Sajmir Tahirin. Ka 48 orë që janë bërë të ditura provat e faktet, ndaj kodo vonesë është e pafalshme. Ky është një hetim me rëndësi jetike për të nesërmen e Shqipërisë”

Duke folur për shkrirjen e Drejtorisë së Policisë në Elbasan, Basha e ka cilësuar të pavend, pasi sipas tij i pari që duhej larguar është drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.

“Ka kaluar një muaj që unë kam denoncuar me revoltë të madhe ngjarjen e tmerrshme të Elbasanit, që tregoi me zë dhe figurë sesi ky shtet është vënë përfundi nga mafia. Veprimet e ndërmarra sot, nuk janë thjeshtë të vonuara, por të pavend, Çako në mos të ishte dorëhequr, duhet të ishte shkarkuar, ai dhe kupa duhet të ishin vënë përpara drejtësisë”, u shpreh Basha.