Shqipëri/ Marrëveshja e detit, Bushati: Çdo diskutim për 12 milje, shpifje!

05.02.2018 11:48:21

Në një interpelancë me studentë për dialogun me Greqinë, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka theksuar se marrëveshja do të jetë më e favorshme se ajo që u nënshkrua në 2009-ën nga qeveria Berisha.

Bushati i ka përgënjeshtruar deklaratat e homologut të tij Kotzias, i cili tha për mediat krege se pala shqiptare ka pranuar zgjerimin e marrëveshje prej 12 miljesh në zonën detare shqiptare.

Nga 2013 kemi bërë disa diskutime, pasi ka qenë në interesin e të dy palëve për të gjetur një zgjidhje. Çdo marrëveshje e re që do të duhet të arrihet do të jetë më e mirë nga ajo që është arritur nga qeveria Berisha, në 2009. Në thelb, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, – tha ai gjatë interpelancës online në zyrën e bashkëqeverisjes. – Çështje e delimitimit të hapësirës detare është pjesë e diskutimeve. Duke ballafaquar pikëpamjet. Jemi krejt të bindur se duke respektuar këto që thash më lart do të kemi një marrëveshje disa herë më e favorshme se ajo e 2009, të drejt dhe të zbatueshme në praktikë. Çdo diskutim në media për 12 milje, apo për falje, është thjesht një shpifje dhe këtë koha do ta vërtetojë këtë. Ne shpresojmë që në një kohë jo të largët do të kemi një marrëveshje të re”, u shpreh Bushati.

Heqja e ligjit të luftës për ministrin e Jashtëm Bushati do të ndihmonte në fitimin e të drejtës së pronësisë tek ata persona që ishte vendosur sekuestro.

“Për herë të parë një qeveri greke e pranon zyrtarisht që kjo gjendje lufte është relike e së kaluarës që duhet të shfuqizohet. Kemi kërkuar që ligji i luftës, apo dekreti mbretëror që sanksionoi regjimin e luftës ndaj Shqipërisë dhe vuri në sekuestro konservative një pjesë të mirë të pronave të shtetit shqiptar, shtetasve shqiptarë, të qytetarëve shqiptar me kombësi greke, duhet të shfuqizohet me një akt po të njëvlefshëm që ka të njëjtën fuqi ligjore në sistemin juridik grek. Ky akt nuk mund të ishte kursesi një kontratë e dyanshme. Përmes këtij procesi do të kemi situatë të re politike ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë sikundër do u jepet mundësia të tre kategorive ti drejtohen instancave greke për të fituar të drejtën e pronësisë. Do të kemi një çlirim jo thjesht psikologjik po dhe mundësinë që këto tre kategori të përfitojnë të drejtën pronësore siç i takon”, tha Bushati.

Ndërsa për çështjen çame, Bushati tha se për herë të parë ka shkëmbim të dhënash mes dy shteteve në rast se refuzohet kalimi për shtetasit çam.

“Dua të them që qeveria Rama është e para që zyrtarisht në programin qeveritar, e përfshiu këtë çështje si pjesë te dosjes diplomatike. Në këtë çështje të dytë më vjen mirë të deklaroj se me qeverinë greke jemi në një pozicion më të favorshëm se para disa vitesh, sepse ka filluar shkëmbimi i të dhënave, apo informacionit për rastet kur i refuzohet hyrja në territorin grek të qytetarëve shqiptarë që janë pjesë e komunitetit çam”, tha ministri.

Bushati nënvizoi se as Shqipëria dhe as Greqia nuk ka synim të ndryshojë historinë e dy vendeve.