Shqipëri: Mbi fenomenin “Droga Made in Albania”

04.10.2017 23:08:12
Ngjarjet e rënda kriminale, pasojë e trafikut të narkotikëve, zënë faqet e para të mediave, por kapja e dënimi i autorëve pothuajse asnjëherë. Shteti ka “rënë”, ka “kapitulluar”, është “kapur” e të tjera vlerësime tashmë rutinë, shprehin shqetësimin e disa analistëve e politikanëve në pozita kritike me atë që ndodh. Ndërsa SHTETI qëndron i qetë dhe kryelartë, si për të treguar se as nuk ka rënë, as nuk është kapur, aq më pak kapitulluar, por është transformuar e përshtatur pa pasur nevojë të ndryshojë ligje apo adaptojë struktura.

Përgjithësisht raporti i një shteti me drogat, kur ka përkrahje/kundërshti afërsisht të  barabarta, zgjidhet me referendum, ose me ligje kur aprovimi është i gjerë dhe e hapur. Shteti ka disa opsione për të reaguar kur kërkesa për droga imponon një qëndrim.

Së pari, reagim të ashpër ligjor. Dënime të rënda për prodhimin, shpërndarjen, trafikun dhe konsumin e drogave. Ka raste që ky reagim shkon deri në ekstrem, siç ndodh në Filipine, ku presidenti Rodrigo Duterte ka urdhëruar policinë të vrasë çdo trafikant droge.

Së dyti, reagim tolerant. Dekriminalizim i përdorimit të drogave, jo burgosja, por trajtimi i përdoruesve në qendra mjekësore, ofrimi e shiringave falas për të shmangur përhapjen e sëmundjeve infektive.

Së treti, legalizimi i drogave për përdorim personal. Krijimi i sistemit rregullator për kultivimin, shpërndarjen, konsumin, shoqëruar me taksa të larta nga të cilat pjesa më e madhe shkon tek zgjidhja e problemeve shëndetësore të perdoruesve dhe masa të tjera në rastet e përdorimit të  mbi-dozave.

E katërta, qëndrim krejtësisht liberal. Konsiderimi i drogave si duhani e pijet alkolike, pra treg i lirë për prodhimin dhe përdorimin e tyre.

Shqipëria, vitet e fundit, ka aplikuar një zgjidhje origjinale që nuk bën pjesë në  asnjërën nga klasiket e përmendura më lart. Canabis sativa mbillet në çdo cep të territorit, megjithëse përdorimi i drogave nuk është dekriminalizuar dhe prodhimi nuk është liberalizuar. Duket që kemi të bëjmë me një shoqëri, ku “aksionerët” kryesorë janë pjesë e maxhorancës që qeveris. Të  ardhurat nga drogat shkojnë në xhepat e “aksionerëve”, kush kryen aktivitet jashtë sistemit goditet me prishje të  prodhimit apo sekuestrim të mallit, trafikantët nuk vriten si në Filipine nga shteti, por nga konkurrentët, “shoqëria aksionere” nuk mban përgjegjësi kur droga kapet jashtë kufijve.

Shqipëria sot ka shumë tipare të përbashkëta me Italinë e Jugut, Kolumbinë, Meksikën, Afganistanin, etj., ku narko-trafikantët punojnë të pashqetësuar dhe të pandëshkuar për kohë shumë të gjatë si rezultat masivitetit në biznesin e narkotikëve, mbështetur me një sistem korruptiv efektiv dhe përkrahje nga politika.

Treguesi i parë është garancia e prodhimit. Cannabis sativa si çdo bimë tjetër kërkon farën, terrenin, ujin, dhe personat që do kryejnë kultivimin. Në vazhdimësi është korrja, magazinimi, gjetja e tregut, shpërndarja, dhe e fundit, pagesat. Tek pagesat fillon dhe aktiviteti tjetër, më kompleks se i pari, që është pastrimi i parave dhe kthimi i tyre në llogari bankare të sigurta dhe në  të  mira materiale. E ky është   treguesi i dytë. Nje aktivitet fitimprurës duhet të garantoje gëzimin e fitimit, mundësitë e përdorimit të  ardhurave, kthimin në  mjete luksi si autovetura, jahte, vila, investimin e tyre në  aktivitete serioze, pra daljen nga informaliteti.

Treguesi i tretë është garancia e investimit. Në një shtet ku drogat nuk janë të  legalizuara, gjithmonë ekziston frika e goditjes. Vetëm një pushtet politik, që ofron një sistem mbrojtës të  suksesshëm, garanton që investimi nuk do të  trazohet të paktën për 8-10 vjet. Për këtë arsye grupet kriminale kanë investuar në  një pjesë të  partive politike, e këto të fundit e garantojnë me pseudo-reforma, vendime të kamufluara dhe shumë herë lehtësira ligjore që infrastruktura e krimit të mbijetojë.

Çfarë i nevojitet krimit nga “partnerët” në qeveri për të garantuar aktivitetin? Në radhë të parë policia. Tashmë, sado të mohohet, nuk mund të fshihet përfshirja masive e policisë në trafiqe dhe dekonspirim të aksioneve kur janë me kërkesë të institucioneve të tjera apo policive rajonale.

Së dyti, një prokurori jashtë funksionit. Kjo arrihet duke e mbingarkuar me çështje të vogla e të parëndësishme, frikësuar dhe kërcënuar.

Së treti, një pushtet gjyqësor i kapur dhe i trembur, ku gjyqtari nuk ka asnjë garanci për jetën e tij apo të familjes, ku lejohet të “mëkatojë” e më vonë “mëkatet” i kujtohen për ta përdorur në dobi të çdo trafikanti në nevojë.

Çfarë i duhet qeverisë të bëjë për trafikantët? Përveç të sipërpërmendurave, t’i krijojë infrastrukturën e nevojshme të trafikut dhe pastrimit të  parave. Këtë ja garanton përfshirja e përfaqësuesve të krimit në politikë dhe në çdo institucion ligj-zbatues, pushtet lokal për investimet lokale e pastrimin e parave, marrjen e trojeve, hapjen e qëndrave formale të biznesit, lejet e ndërtimit, lojrat e fatit, firmat e ndërtimit dhe transportit.

Nuk janë histori kafesh fikjet e radareve apo mos-mirëmbajtja e tyre e qëllimshme, pistat e avionëve të vegjël, trafikantët e punësuar në  porte e pika doganore, zjarrfikës, polici, inteligjencën financiare, hipoteka, tatim-taksa, verifikimin të  pasurive, etj. Poashtu, vrasjet e “biznesmenëve” për probleme droge janë treguesi më i qartë se, me hir apo pahir, biznesi është   vënë në  funksion të  pastrimit të  parave ose transportit të  drogave.

Megjithëse nuk ka shifra për sasinë e konsumit të  brendshëm, nisur nga çmimi dhe fakti se rinia shqiptare është ende në fazën e konsumit të duhanit e alkolit, rreth 99% e drogave transportohet jashtë kufirit. Ka shumë ngarkesa të  kapura nga shtetet fqinje me drogë, por asnjë me monedha. Ky është shembull i qartë se paratë pastrohen në  sistemin financiar të  korruptuar shqiptar, investohen në ekonominë informale, ose pastrohen duke u konvertuar lek me lek ose euro me euro në raporte në varësi të kërkesë-ofertës.

Shumë herë mediat kanë pasqyruar shqetësimin e habinë qytetarëve për mosreagimin ndërkombëtar ndaj trafikut të  narkotikëve. Ambasadorë shumë aktiv ose kanë heshtur ose e kanë devijuar përgjigjen. Ambasadori amerikan, si mbrojtës i interesave të shtetit të tij, nuk ka ndonjë arsye për ta bërë prioritet drogën shqiptare, për sa kohë SHBA nuk është pjesë e atij tregu. Për të  mos qënë kategorik, ndoshta vetëm ndonjë gram mund të futet atje. Poashtu, drogat shkëmbehen me lek dhe euro, prandaj ky aktivitet nuk ka lidhje me financat amerikane. Shtetet europiane, të heshtura edhe ato, janë në gjendje ta kontrollojnë drogën Made in Albania aq sa të mos i rrezikojë. Ndërsa ekonomikisht, duke e ditur se shtetasit e tyre do e konsumojnë drogën legalisht, nuk është keq ta blejnë nga Shqipëria me çmim të arsyeshëm, njëkohësisht edhe bankat europiane nuk kanë ndonjë dëm dhe “mbyllin sytë” kur eurot vijnë të  pastruara nga bankat shqiptare. Duhet pranuar, vazhdimisht të  huajt kanë thënë se, problemet në Shqipëri duhet t’i zgjidhin vetë shqiptarët. Këtu përfshihen edhe drogat e roli i qeverisë, shitblerja e votës me gjithë pasoja, mosrespektimi i votuesve dhe injorimi i premtimeve elektorale.

të  përfshira në krim ose t  paafta ta  luftojnë atë, për pasojë po cënojnë rëndë te drejtat themelore të  çdo populli për mirëqënie dhe siguri. Policia e shtetit, poashtu tregon se është e përfshirë ose e paaftë, sepse dështoi në  luftën kundër krimit. Trafiqet në  Shqipëri janë pothuajse të  hapura dhe policia mjafton të  ndjekë protokollet e njohura e të provuara, të  shkojë pas drogës, të  shkojë pas parave të  pista, ose të  shkojë pas personave të lidhur me krimin. Sejcila rrugë do e çojë në  strofullën e trafikantëve, e pas cilitdo trafikant të madh të shkojë, do përfundojë tek “kolltuku” i një politikani apo ministri. A mund ta bëjë kjo polici që kemi sot këtë? Kurrsesi! Aq më pak SHTETI që është transformuar e përshtatur me këtë nivel të  lartë trafiku, nga ku merr edhe “oksigjenin” e mbijetesës.