Shqipëri/ “Nëse nuk hapen negociatat, gabimi më i madh historik i BE”/Conte kritika të ashpra liderëve europianë

18.10.2019 12:51:52

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka reaguar ashpër për mos vendimmarrjen në Këshillin Europian për sa i përket çeljes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri italian e ka cilësuar ditën e djeshme, ku u qartësua pozicioni negativ i Francës por edhe të disa vendeve të tjera si Holanda, Danimarka dhe Spanja, si një datë që do të kujtohet si një gabim historik.

“I thashë kolegëve të mi, është një takim me historinë. Në 1400-ën ato komunitete pushtohen nga osmanët, më pas njohin regjimin komunist. Presin të hyjnë në Europë me kohë, sot jemi në 2019 dhe kjo datë do të kujtohet si një gabim historik.  Më vjen shumë keq, se është edhe aspirata e disa komuniteteve me shumicë myslimane por me kulturë europiane, pra  ishte një mundësi  e madhe dhe ne duhet t’i çelnim negociatat. Jam shumë afër shqiptarëve, veçanërisht atyre të Maqedonisë së Veriut që kanë bërë shumë sakrifica. Shpresoj se zhgënjimi i tyre nuk do të shndërrohet në dekurajim, ne nuk do t’ i braktisim”, u shpreh Conte.