Shqipëri/ Opozita e re i vendos kushte Ramës: Ja çfarë duam në këmbim të votës për shkarkimin e Metës

11.06.2019 10:15:14

Deputetët e opozitës së re i kanë vendosur kushte kryeministri Edi Rama në këmbim të votës për shkarkimin e presidentit Meta. 94 votat e domosdoshme për shkarkimin e presidentit duhet të plotësohen dhe me ato të opozitës parlamentare.

Dy nga përfaqësuesit e PD dhe LSI, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni, thonë se kusht i panegociueshëm është ndryshimi i sistemit.

Të gjitha kërkesat që mund t’i drejtohen të dy grupeve parlamentare në emër të kësaj mazhorance do të kenë si kushtëzim të panegociueshëm nga këto grupe parlamentare prishjen e nyjes së sistemit zgjedhor që e ka çuar vendin në këtë lloj kllapie politike”, ka deklaruar Myslim Murrizi.

Edhe Ralf Gjoni, një nga njerëzit më të afërt të Metës, është gati të votojë shkarkimin e ish-shefit të tij me një kusht.

“Vota ime mbetet e kushtëzuar me ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe korrigjimin e masakrës elektorale të vitit 2008”, ka deklaruar ai.

Deri në vitin 2017, Gjoni ishte këshilltar i Ilir Metës si kryetar i Kuvendit, institucioni që tashmë po përgatitet ta shkarkojë.