Shqipëri/ OSBE dënon dhunën në protestë: Djegia e gomave dhe shashkat, jo demokratike

26.02.2019 22:53:24

OSBE ka reaguar menjëherë pas protestës së opozitës. Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, OSBE bën thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.

“Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi.

Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore.

Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta”, thuhet në deklaratën e OSBE-së.