Shqipëri/Partia Demokratike kallëzon Veliajn për abuzim me tenderat

19.09.2018 12:23:12

Partia Demokratike ka kallëzuar penalisht kryebashkiakun Erion Veliaj për shkelje të barazisë në tenderë. Deputeti demokrat Klevis Balliu theksoi se është abuzuar me miliona euro dhe sipas tij protagoniste është sërish e njëjta firmë e përfolur kohët e fundit më së shumti, “Fusha shpk”.

“Tani po kthehem nga Prokuroria ku dorëzova kallëzimin penal kundër kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë.

Erion Veliaj ka shkelur ligjin në mënyrë flagrante për t’i dhënë miliona euro të tjera, kompanisë Fusha shpk, së njëjtës kompani që zgjodhën për të vjedhur tek sheshin Skënderbej dhe së njëjtës për të shembur Teatrin dhe ndërtuar kullat me paratë e drogës dhe korrupsionit.

Në kundërshtim të plotë me ligjin, Veliaj i ka dhënë Fusha shpk, 2.6 milionë euro për blerjen e 400 pishave! Ligji e përcakton garë transparente, por për këtë firmë ligji eliminohet. Një pishë 6500 euro copa!” deklaroi Balliu.