Shqipëri: Pas dëborës vjen akulli, Emergjencat: 90 fshatra mund të bllokohen

05.01.2017 20:27:54

Për Emergjencat Civile problemi kryesore pas rreshjeve të dëborës sot dhe nesër është akulli, nga rënia e madhe e temperaturave.

Sipas Shemsi Prençit, shefit të Emergjencave, 90 fshatra në Kukës, Dibër dhe Korçë mund të bllokohen.

Shemsi Prençi: Deri nesër do të ketë reshje dëbore, nga nesër e tutje, për shkak të rënies së temperaturave, do të kalojnë në ngrica. Nuk do të ketë më reshje dëbore, por problem do të jetë akulli në rrugë, për të cilën ne kemi bërë apel të gjithë kompanive me detyrime kontraktore dhe bashkive, të sigurojnë depozita kripe për spërkatjen e rrugëve. Edhe në ato rajone ku nuk do të bjerë dëborë, por do të jetë shi, problemi më i madh është që pas shiut do të ketë ngrica.

Top Channel: Ka ndonjë aks, sipas informacioneve tuaja, që ka probleme?

Shemsi Prençi: Përgjithësisht kompanitë janë duke punuar, por e theksoi që duhet të rrisin prezencën e gjithë kapaciteteve teknike dhe njerëzore që kanë, për të spërkatur me kripe çdo segment rrugore, sepse kjo ngricë që do mbërthej gjithë territorin e Shqipërisë, sidomos rrjetin rrugor, nuk mund të përballohet, sepse nuk kryen efekt as fadroma, as traktori, as borëpastruesja. Në këto kushte kryen efekt vetëm spërkatja me kripe.

Top Channel: Duke marrë parasysh dhe reshjet e borës, sa mund të jenë zonat e bllokuara?

Shemsi Prençi: Janë parashikuar që do të jenë në të gjithë Shqipërinë rreth 90 fshatra.

Top Channel: Kryesisht në…

Shemsi Prençi: Kryesisht do të jenë në qarkun e Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës.

Top Channel: Dhe një apel për gjithë drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët?

Shemsi Prençi: Sa më pak lëvizje të panevojshme. Të përdorin zinxhirë në të gjithë segmentin me ngricë dhe atje ku ata shikojnë që nuk është hedhur skorje dhe kripë, është më mirë të ndalojnë.