Shqipëri: Petrit Vasili: Ruçi, përgjegjës për pushtimin militar të Kuvendit

20.12.2017 13:22:58

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka akuzuar kreun e Kuvendit Gramoz Ruçin si përgjegjësin kryesor të asaj që ndodhi para dy ditësh në sallën e Parlamentit.

Vasili kërkon përgjegjësi penale për Ruçin, duke e cilësuar ngjajen si “Pushtimi militar i Kuvendit”.

“Pushtimi militar i Kuvendit, përgjegjësi e rëndë penale Ruçit. Ruçi, përgjegjës për shkatërrimin e Parlamentit, – shkruan Vasili. – Garda zaptoi sallën e dhunoi deputetët. Ruçi dhunoi ligjin dhe lejoi hyrjen pa urdhër të gardës. Ruçi përgjegjës, se ligjëroi një votim antikushtetues. S’ka asnjë alibi për Ruçin, që bëri Kuvendin skenën e puçit kushtetues. Fajtor Ruçi, që Kuvendi po përjeton ditët më të zeza. Ruçi duhet të ndiqet penalisht për dhunimin militar të parlamentit nga Garda”, – është komenti i deputetit LSI-së.

Më herët, Vasili ka denoncuar kreun e qeverisë, Edi Rama për dhunën e ushtuar nga policia në protestën e opozitës.

Vasili ka postuar foton e një të riu të gjakosur nga forcat e policisë, teksa në krah të tij shihet kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cila po i ofron ndihmën e parë.

Në statusin e publikuar në facebook, Vasili thotë se deri dje Kryeministri deklaronte se do bënte aleancë me popullin, por që në realitet i tha policisë që të godiste protestuesit.

”Ky është kryekrimineli në krye të qeverisë, që do të bënte Aleancë me popullin. Ky që i tha policisë: “Flakni uniformat dhe bëni vota për Partinë Socialiste” dhe që e ka denoncimin sa një mal në Prokurori të Përgjithshme”,-shkruan Vasili.

Më fund, ai shtron pyetjen se nëse Kryeprokurorja e Përkohshme, me 69 votat e marra në kuvend do të hetojë gjëmat e qeverisë.