Shqipëri/Po mbetemi pa gjykata? Edi Rama: Më mirë djepi bosh se shejtani brenda

24.07.2018 13:48:36

Pastrimi Pallatit të Drejtësisë është një kauzë pas së cilës është kapur fort mazhoranca qeverisëse në Shqipëri, që kujdeset t’ia veshë vetes atributet për ecurinë pozitive të vettingut deri më tani, me procesin që është vlerësuar edhe nga BE.

Por me “kokat” e prera nga KPK për shkak të mosjustifikimit të pasurisë apo vendimeve të padrejta gjatë karrierës si profesionistë, në sistemin e drejtësisë janë krijuar vakanca që duket se po i kushtojnë shtrenjtë shqiptarëve.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese ka mbetur me vetëm një anëtare të konfirmuar si duhet dhe kreun e saj që edhe pse i shpëtoi vettingut do të duhet të përballet me kërkesën e Komisionit të Apelit për rishqyrtim të vendimit.

Sistemi ka hyrë zyrtarisht në kolaps dhe debati mes aktorëve politikë është nxehur për një tjetër mekanizëm që mund t’i japë zgjidhje ngërçit. E kemi fjalën për ligjin e Magjistraturës, i përcaktuar në Kushtetutë për t’u votuar me 84 vota, por që vështirë se do të marrë dritën jeshile në gjendjen ku ka hyrë klasa politike.

E duke parë të gjithë boshllëkun e krijuar, kryeministri Edi Rama me dy statuse në Facebook, një dje dhe tjetrin sot e ka mbrojtur sërish procesin dhe ka theksuar se problemi nuk është mbetja bosh e sallave të gjykatave e zyrave të prokurorive.

E rëndësishme sipas tij është që gangrena e krijuar në vite po nis të rehabilitohet dhe vettingu si proces do të sjellë drejtësi të pastër qelibar për brezat e ardhshëm.

“Po mbetemi pa gjykata të sipërme?Jo! Po operojmë organizma të kancerizuar që e degraduan deri në kockë drejtësinë. Më mirë djepi bosh se shejtani brenda! Ky pastrim është shpëtim për dekada e breza që vijnë,rilindja e këtyre gjykatave është vetëm çështje e më pak se një viti”, shkruan Rama në Facebook.