Shqipëri/ Presidentin do e zgjedh populli”, pas Ramës, Basha tremb edhe Ilir Metën!

08.05.2019 17:18:28

Në tentativë për të shpjeguar “ndryshimin e sistemit” që PD dhe ai vetë janë zotuar se do të bëjnë duke rrëzuar Edi Ramën, Lulzim Basha artikuloi sot nga Korça një deklaratë shumë të fortë.

“Presidentin do e zgjedh populli”, tha kreu i PD-së duke nxjerrë në pah një tjetër synim përveç rikthimit te listat e hapura për të pastruar Parlamentin nga kriminelët dhe të paditurit.

Duket se ndryshimi i thellë i sistemit politik që proklamon Basha parashikon vërtet një dozë më të lartë vendimmarrje nga qytetarët, pasi ai thekson se do t’i hapet rrugë referendumeve.

“Deklaroj që “Po”,  do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik, do të ketë një rikthim të vlerave europiane. Parlamenti nuk do të jetë kukull e qeverisë, prandaj na duhet që të burojë drejt për-drejt nga populli shqiptar. Për këtë kemi nisur një dialog ndërkombëtar. 100 deputet me një senat, me dy dhoma, apo sisteme të tjera, pse jo një President të zgjedhur nga populli, Referendumet popullore, qytetarët të pyeten për çdo vendim të rëndësishëm”, u shpreh kreu i PD-së.