Shqipëri/ Prokurori i Gjirokastrës i dyshuar për lidhje me grupin e trafikut të drogës

07.05.2019 13:51:45

Policia shqiptare zbuloi të martën se prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli, fillimisht i proceduar në janar 2019, u evidentua falë një operacioni masiv dhjetëmujor kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, operacion që u finalizua të martën.

Rasti i prokurori Spartak Çoçoli i Gjirokastrës, i marrë fillimisht në pyetje në janar të këtij viti nën dyshimet për korrupsion dhe i lënë nga gjykata me masë sigurimi “detyrim paraqitjeje”, u identifikua si pjesë e hetimeve mbi një organizatë të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, bëri të ditur policia të martën më 7 maj.

Policia shqiptare njoftoi përfundimin e një operacioni dhjetëmujor, që solli ndalimin e 14 personave në qytete të ndryshme të vendit dhe u sekuestrua mbi një ton kanabis e një kilogram heroinë e kokainë. Para përfundimit të operacionit, policia bëri të ditur se hetimet kishin sjellë përgjatë dhjetë muajve të fundit goditjen e rasteve të ndryshme të trafikimit të drogës në Shqipëri dhe Greqi.

“Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë”, bëri të ditur policia të Martën.

“Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër)”, vijon më tej njoftimi. Çoçoli është deklaruar i pafajshëm.

Marrja në pyetje

Në janar të këtij viti, një prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër është shoqëruar dhe marrë në pyetje nga kolegë të Krimeve të Rënda të cilët po hetojnë në lidhje me dyshimet për korrupsion. Zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me dije se po kryeheshin veprime hetimore lidhur me një procedim penal për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv, por nuk ishte kërkuar masë sigurie për prokurorin e Gjirokastrës Spartak Çoçoli.

Çoçoli mësohet se u shoqërua në policinë e Gjirokastrës ku është marrë në pyetje për llogari të procedimit penal Nr. 08/2019. Prokuroria nuk bëri me dije nëse Çoçoli pyetej si person në hetim, por njoftoi se çështja penale kishte të bënte me korrupsion pasiv dhe aktiv të gjykatësit ose prokurorit e parashikuar “nga nenet 319 dhe 319/ç” të Kodit Penal.

I pyetur nga BIRN rreth këtij hetimi, prokurori Spartak Çoçoli përsëriti disa herë se nuk kishte dijeni. “Siç e shikoni unë jam në punë dhe ato që janë thënë janë të pavërteta”, tha Çoçoli.

Çoçoli ishte denoncuar më parë publikisht nga familja e një vajze të larguar nga shtëpia se kishte favorizuar personin që ata e akuzonin për rrëmbim. BIRN po ashtu mësoi nga burime pranë policisë se procedimi i ri ishte i lidhur me lirimin e një makine të sekuestruar.