Shqipëri/ Protestë për votën e Teatrit, opozita bojkoton seancën plenare

09.07.2018 10:52:41

Opozita ka vendosur të bojkotojë seancën e sotme parlamentare për shkak të falsifikimit të votës për Teatrin Kombëtar të enjten e shkuar.

Më herët krerët e grupeve parlamentare të PD-LSI i ishin drejtuar me një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi ku i kërkonin anulimin e votimit për ligjin e Teatrit Kombëtar.

Sot Kuvendi do të mblidhej për të miratua disa ligje me rëndësi përfshirë dhe ndryshimin e taksave, ku kërkohen vota që mazhoranca e vetme nuk mund t’i plotësojë.

Në rend të ditës është parashikuar edhe ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ku edhe kjo kërkon 84 vota. Në votimin për ligjin e teatrit, mazhoranca konfirmoi 75 vota në parlament, por bashkë me disa deputetë të deklaruar të pavarur mund të arrijë në 79 vota.

Mazhorancës i duhen edhe 5 vota të tjera për ligjin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që i rikthyen kompetencë KLD-së dhe prokurorisë së Përgjithshme për emërimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.