Shqipëri/ PS mbledh sot Asamblenë Kombëtare, priten ndryshime

07.09.2018 11:45:36

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste pritet që të mblidhet mblidhet sot për të diskutuar rreth performancës së përfaqësuesve të kësaj force politike në qeverisjen vendore. Ndërkohë një tjetër pikë e rëndësishme që do të diskutohet në asamble është fushata për zgjedhjet lokale që priten të mbahen vitin e ardhshëm.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Asambleja do të nis punimet në orën 10:00, ndërsa nuk do të mungojë fjala edhe e kryeministrit Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së.

E gjithë vëmendja e socialistëve do të përqendrohet tek fjalimi i tij, i cili pritet të përcjellë edhe mesazhin politik drejtuar opozitës. Gjatë punimeve të Asamblesë priten ndryshime në sekretariatin ekzekutiv të PS-së, por kjo ende nuk është zyrtare.

RENDI I DITËS NË ASAMBLE

  1. Raport Kombëtar i Llogaridhënies Publike të Qeverisë “Puna për Shqipërinë që Duam”.
  2. Raport i Grupit të Punës së Asamblesë Kombëtare të Partisë “Mbi performancën e përfaqësuesve të PS në qeverisjen vendore”
  3. Udhëzim për fillimin e procedurave për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtar të Këshillave Bashkiakë për zgjedhjet vendore 2019.
  4. Raporti Kombëtar i Bashkëqeverisjes deri më 31.08.2018
  5. Raport mbi punën e Grupit Parlamentar të PS në dy sesionet e para të legjislaturës së IX.
  6. Informacion mbi punën e strukturave vendore të partisë në raport me Axhendën Politike Vjetore të Partisë.
  7. Udhëzim për fillimin e Fushatës Kombëtare “E gjithë vëmendja tek njerëzit”
  8. Miratimi i strategjisë “Partia Socialiste për ty”
  9. E drejta e votës për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
  10. Vendim për unifikimin e regjistrit digjital të PS.