Shqiperi/ Sekreti, si bien trafikantët në kurthin e policëve!

29.05.2019 10:31:41

Shumica e operacioneve policore realizohen me metodën e infiltrimit të agjentëve të specializuar që në shumicën e rasteve prezantohen si blerës armësh, droge apo edhe si vrasës të paguar e përdorues narkotikësh.

Herë maskohen me tuta, atlete e kapele, e ndonjëherë me rroba firmato nga koka tek këmbët. Herë mbajnë motoçikletë e herë ndonjë automjet, prodhim të vitit më të fundit. Ose bëjnë rolin e shpërndarësit që duhet të grabisë e të bëjë krime për të siguruar dozën e ditës, ose shtiren sikur janë blerës që mbajnë vetëm sende luksoze. Pak rëndësi ka se cilën mënyrë zgjedhin sepse një rol kryejnë në çdo operacion. Janë agjentët e infiltruar të operacioneve kundër trafikut të drogës dhe armëve, të cilët shpeshherë gjenden përballë “bosëve”, duke bërë pazar për “mallin”, derisa u vënë prangat.

Përveç përgjimeve telefonike dhe informacioneve nga informatorë, metoda e infiltrimit mbetet një ndër më të preferuarat për shkak se përfundimet janë pothuajse në çdo rast frytdhënëse. Pasi marrin shkëndijat e para në lidhje me personat që organizojnë apo janë pjesë e rrjetit, nisin punën për planin e operacionit. Në momentet kur mbetet e vështirë “gracka” e përgjimeve të bisedave telefonike ose rrugëve të tjera, infiltrimi mbetet mënyra që duket se nxjerr faqebardhë agjentët. Por burime të rezervuara shprehen se kjo mënyrë është edhe një prej më të rrezikshmeve, për vetë faktin se në çdo rast ekziston mundësia e zbulimit të agjentit. Pasi lidhin kontaktet e para me personat që më pas i çojnë me pranga në qeli, të infiltruarit bëjnë herë pas here “takime” për të biseduar në lidhje me pazarin që do të bëjnë. E në momentin kur vendoset dhe shkëmbimi i “mallit” me paratë, bëhet dhe finalizimi i operacionit, që zgjat kryesisht disa muaj.

Shpërndarësit dhe trafikantët që bien në “rrjetën” e tyre kapen në mënyra nga më të ndryshmet. Duke besuar verbërisht tek personi që do të bëjë blerjen, shuhet komplet mundësia e frikës nga ndonjë arrestim i mundshëm. Kryesisht zgjidhen vende periferike dhe jashtë qendrave të banuara, por nuk përjashtohen dhe rastet kur shkëmbimi bëhet edhe në ndonjë lokal, bar ose restorant. Dhe atëherë kur nuk ua pret mendja kapen në flagrancë dhe personi që deri në atë moment ishte “ortaku” i tij në biznes, shndërrohet krejt papritur në polic.

Jo gjithmonë gjërat u shkojnë ashtu siç ata i planifikojnë. Edhe pse zgjedhin metodën e infiltrimit, sa efikase, ajo konsiderohet si një ndër më të rrezikshmet. Luajnë role nga më të ndryshmet. Që nga ai i një përdoruesi të rëndomtë hashashi e deri tek blerësit më të sofistikuar të kokainës e të heroinës. Por a janë gjithmonë të mbrojtur edhe përveç maskimit të përsosur që përdorin? Nga burime të rezervuara mësohet se edhe pse metoda rezulton e suksesshme në pothuajse 100% të rasteve, ekziston dhe rreziku i zbulimit. Sipas burimeve mësohet se deri tani nuk ka pasur fatmirësisht asnjë rast zbulimi apo dështimi.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare mësohet se gjatë 5 muajve të parë të këtij viti vetëm sektori i antidrogës ka zhvilluar 9 operacione, përmes infiltrimit.