Shqipëri/ Sherr e plumba në Dhërmi. Kapet 21-vjeçari me “BMW” dhe TT-në plot fishekë

08.07.2018 11:45:54

Një përplasje me armë zjarri dyshohet se ka ndodhur pas mesnate në një nga baret verore në zonën e Dhërmiut dhe prej ngjarjes janë terrorizuar pushuesit e shumtë në zonë. E teksa mediat raportuan për derdhje gjaku, viktima e të plagosur, policia e Vlorës në një deklaratë paraprake informoi se “në Dhërmi nuk ka ngjarje të rëndë kriminale”.

“Nuk ka asnjë te lënduar asnjë, të plagosur, asnjë viktimë. Ka ndodhur një konflikt në një lokal. Një person ka qëlluar me arme në ajër. Policia ka ndërhyrë menjëherë ku ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar. Grupi hetimor është duke punuar për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, njoftoi fillimisht policia.

Por edhe pas kësaj deklarate të policisë, sërish vinin dëshmi nga vendngjarja për kaos në ambientin ku, sipas tyre ka ndodhur përplasje me armë mes grupe të rinjsh.

Pavarësisht kësaj Blutë e Vlorës edhe pse apdejtuan deklaratën e tyre, duke shtuar arrestimin e një të riu që lëvizet me armë, i qëndrojnë njoftimit për asnjë viktimë apo të plagosur në Dhërmi.

Sipas policisë është arrestuar 21-vjeçari Rei Vrapi, banues në Vlorë, pasi i është gjetur një pistoletë me 7 fishekë.

“Pas informacioneve të marra në rrugë operative, rreth orës 23.00, në fshatin Dhërmi, bashkia Himarë, në lagjen “Gjilek”, është konstatuar mjeti që dyshohej se lëvizte personi që kishte armë me vete. Gjatë kontrollit fizik të bërë shtetasit Rei Vrapi, banues në Vlorë, Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë materiale një armë zjarri e markës “TT” me një krehër me 7 fishekë. Policia sqaron se ky shtetas ishte duke udhëtuar si pasagjer në automjetin e markës BMË X5 me pronar shtetasin R.S., 22 vjeç, banues në Vlorë”, thuhet në njoftimin e dytë të policisë.

Ndërkohë shtohet se në këtë automjet udhëtonin edhe 3 persona të tjerë, të cilët janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë për veprime të mëtejshme hetimore.

“Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Himarë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Rei Vrapi, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municoinit”, ndërsa personat e tjerë janë lënë të lirë”, sqarojnë Blutë e Vlorës.

Është ende e paqartë nëse sherri që degradoi në nxjerrjen e armëve në Dhërmi, lidhet me arrestimin dhe nëse 21-vjeçari ka qenë protagonist në ngjarje.