Shqipëri/ Shkon në 21 numri i viktimave nga COVID-19, ndërron jetë 61 vjeçari

05.04.2020 18:49:14

Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari Skënder Kurti, i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Ish boksier dhe ish trajner, 61-vjeçari pësoi vdekje klinike në 23 mars dhe u raportua si viktima e pestë e koronavirusit në Shqipëri, por më pas duket se stafi mjekësor bëri mrekulli duke e mbajtur gjallë.

Ai është viktima e 21-të në Shqipëri nga koronavirusi COVID-19.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Kush ishte

Përveç se një trajner tepër i përkushtuar dhe i suksesshëm, Kurti ka qenë gjithashtu edhe boksier kampion me ekipin e Tiranës.

Skënder Kurti është ndeshur në dhjetëra ndeshja boksi brenda dhe jashtë vendit. Ai cilësohej si një ndër boksierët më të mirë në vend, kur ishte i ri.

Për disa vite ka qenë zv.trajner dhe më pas mori drejtimin e ekipit të boksit në Tiranë. Janë me dhjetëra tituj që ka fituar brenda vendit si boksier por edhe si trajner.