Shqipëri/ “Skllav dhe ndrikull”, Berisha replikon me Manjën dhe Gjylametin

21.12.2018 13:52:25

Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur sesionin parlamentar të këtij viti me akuza dhe replika, ku erdhën para së gjithash pas fjalës së deputetit socialist Ulsi Manja, teksa ishte duke u diskutuar Vettingu në politikë.

Berisha tha se “Ulsi, fjalimin ta ka përgatitur Ymer Lala, se Ymeri të kapi për zverku dhe të nxori jashtë nga gara elektoral e PS në Dibër dhe atë interceptime që janë për ty, janë ato të skllavit se jo të gjithë ju jeni shtylla krimi. Disa janë bosët e krimit të tjerë skllav të krimit”.

Më tej ai iu drejtua deputetes socialiste Blerina Gjylameti, duke i thënë “Lexoje fjalimin e Klodian Shullazit”. Po ashtu duke iu drejtuar socialistëve, Berisha tha se “Secili prej jush jeni o skllevër të krimit, o shtylla të krimit, ndaj dhe sot keni ikur, jeni zhdukur”.

Në replikë deputetja Gjylameti tha se nuk ka merak as për bashkëshortin sot dhe as për të birin nesër.

“Që normalisht do të duhej që në moshën që keni zoti Berisha së paku duhet të kishit reflektuar për çfarë fatkeqësie keni qenë për këtë vend, do tju bënte sot nder jo juve, por të gjithë kolegëve të opozitës. Në anën tjetër unë nuk kam asnjë merak për familjarët e mi, – tha ajo. – Duke nisur që nga ai që është bashkëshorti im, ku disa nga zonjat që ke përkrah mohojnë bashkëshortët, as për ndonjë merak për fëmijën tim nesër. Si kundër do kesh merak, jo vetëm ju Berisha, por edhe të tjerë për fëmijët e tyre, më pak kam merak për ndonjë kunat që ta mohoj atë, më pak kam merak për atë që ke vendosur kryetar. Frika që ke sot të duket në çdo moment kur flet, në çdo fjalë që flet nga goja, një gojë e ligë që e ka mbytur këtë vend, që nga fjalët më të ndyra, tek mallkimet më të mëdha. Je fatkeqësia e këtij vendi dhe do të doja që sot të reflektojë dhe të tregojë që vërtet kam bërë gjëra në këtë vend, por sot reflektoj dhe them kam bërë gabim. Sot e kuptoj frikën tuaj, sepse sot po jetësohet një reformë në drejtësi që do të bëjë që as ty as Lulzim dhe as ndonjë koleg tjetër që është i lidhur me krimin, dhe jo vetëm, por edhe me sekuestrimin e pasurisë që ke vendosur ndër vite”, – përfundoi Gjylameti.