Shqipëri/ Studentët e Vlorës braktisin takimin me Ramën: E duam Shqipërinë si Europa!

19.12.2018 13:32:27

Kryeministri Edi Rama po zhvilloi një takim me studentët e Universitetit të Vlorës. Në fjalën e mbajtur, studentët i kanë kërkuar Ramës plotësimin e 8 kërkesave. Ata kanë refuzuar çdo dialog, deri në plotësimin e kërkesave. Një prej studenteve i bëri të qartë kryeministrit se 8 pikat janë dhe duhet vetëm t’i zbatojë.

“Duhet të kuptohet diçka nga të gjithë të pranishmit, që nga ju si kryeministër. Duhet të kuptohet se ne nuk kemi protestuar kot, nuk jemi budallenj. Ne nuk jemi me partitë politike. Duhet të kuptohet se ne u shohim ju si të vetmin që mund të bëjë diçka për këtë vend. Kemi kërkuar disa të drejta shumë bazike. Ju zotëri i keni 8 pika, të zezën mbi të bardhë”, theksoi ajo.

Një tjetër student i tha kreut të qeverisë se sjellja e tij ndaj tyre nuk është korrekte.

“Ju po silleni në mënyrë jo korrekte. Kërkoni dialog dhe jo zbatimin e tyre.

Kur jeni në takim ballë për ballë ju të mbushni mendjen. Merrni parasysh kërkesat tona dhe jepni zgjidhje”, i tha një tjetër student.

Pas disa minutash bisedime, studentët kane nisur te largohen nga salla. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nisen të thërrisnin studentet dhe më pas u larguan nga salla, ndërkohë që brenda qëndruan pjesa tjetër.