Shqipëri/ Tensionohet situata mes policisë dhe protestuesve, hidhen dhe kapsolla

24.07.2019 13:34:54

Tensionohet situata përpara godinës së Teatrit Kombëtar. Në mbështetje të artistëve janë vënë edhe deputetë të opozitës, ndërsa vetë Basha, pas deklaratave u largua, mesa duket për të nisur një lëvizje të re, atë që deri më tani është konsideruar si “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”.

Aktorët janë të vendosur në hyrje të ndërtesës, ndërkohë, policia ka shtuar prezencën e saj dhe ka incidente mes protestuesve dhe policisë.

Ajo që bie në sy është edhe një shtim i numrit të qytetarëve përkrah artistëve të vendosur që në orët e para të mëngjesit aty, në mbrojtje të godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar.

Por incidentet janë shoqëruar edhe me hedhje kapsollash, që kanë shtuar tensionet mes palëve. Nuk thuhet saktësisht, nëse ata që hedhin kapsolla janë qytetarë, apo militantë të opozitës, në një kohë që kjo e fundit është rreshtuar me artistët për këtë çështje.