Shqipëri: Tre dorëheqje për biznesmenin; dy gra dhe Halimi i hapin rrugë Astrit Veliajt

13.02.2018 16:56:25

Dy gra, Juvina Jani dhe Monika Qosja kanë zyrtarizuar që të premten refuzimin për të marrë mandatin e deputetit pas tërheqjes së Eduard Halimit si deputet nga lista e Partisë Demokratike në Berat.

Të dy zonjat që renditeshin në fund të listës, por që sipas ligjit mund të përfitonin për shkak të kuotave gjinore, nuk kanë pranuar të dalin në media që kur vendi i deputetit mbeti bosh.

Por a ishte i paracaktuar refuzimi i tyre? Fakt është se të tre dorëheqjet, e Eduard Halimit dhe e të dy zonjave kanë ndodhur më 9 shkurt dhe zonjat Jani dhe Qosja po atë ditë kanë dorëzuar në KQZ nga një shkresë, ku deklarojnë dorëheqjet e parevokueshme nga kandidimi, zgjedhja dhe mandati i deputetit.

Të premten pasdite, kur deputeti Halimi njoftoi se linte mandatin, Top Channel kontakoi në telefon me të dy zonjat. Nëse Juvina Jani deklaroi mënjëherë se do të përkujdesej për të birin dhe nuk e pranonte mandatin, Monika Qosja ishte entuziaste dhe pohoi se do ta pranonte me kënaqësi mandatin nëse do t’i vinte radha.

Të nesërmen më 10 shkurt, pasi u kontaktua përsëri nga Top Channel, zonja Qosja tha se nuk kishte njoftim zyrtar dhe nuk komentoi më tej. Por e vërteta është se heqja dorë nga e drejta për të përfituar mandatin është bërë, pra në KQZ që në datën 9 shkurt, kur deputeti Halimi dha dorëheqjen.

Shkresat janë me emrat dhe firmat përkatëse, por duket qartë se janë formuluar nga e njëjta dorë, aq sa edhe gabimet gjuhësore janë njësoj. Tre dorëheqje brenda ditës dhe biznesmeni Astrit Veliaj e sheh veten deputet.

Për Lulzim Bashën këtu nuk ka asgjë të keqe.

“Arben Ndoka është një person i dënuar për prostitucion, ndërsa në këtë rast nuk kemi asnjë pretendim për kriminalitetit për asnjë kandidatët, kushdo qoftë deputeti i ardhshëm”, deklaron Basha.

Por çfarë ka thënë kryetari i Partisë Demokratike për rastin e Lezhës në legjislaturën e shkuar, kur dy gra socialiste deklaruan se me vullnetin e tyre të lirë dhe për arsyet personale nuk e pranonin mandatin e deputetes, të cilin e mori Arben Ndoka.

“Katër gra socialiste u detyruan që të japin dorëheqjen nga mandati i deputetit nën kërcënimin e dhunës më të egër që ka miratimin dhe bekimin e Edi Ramës. Kjo është një ditë e zezë për Kuvendin e Shqipërisë, për shoqërinë shqiptare, gratë shqiptare, për bijtë dhe bijat e Shqipërisë”, deklaronte Basha në atë kohë.