Shqipëri/ Tre të arrestuar/ Njëri për plagosje, dy të tjerët penguan policinë

20.10.2019 11:56:31

Një person është arrestuar nga Policia pasi për motive të dobëta ka plagosur me mjete të forta një person. Në pranga janë vënë edhe dy shtetas të tjerë, të cilët kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur punonjësit e policisë që mos të arrestonin dhe shoqëronin në Komisariat autorin e plagosjes.

Nga specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, i shtetasit: F. K., 33 vjeç, banues në Tiranë.

Në vendin e quajtur “Fushë-Mëzez” ky shtetas për motive të dobëta ka goditur me grushte dhe mjete të forta shtetasin A. D., 28 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e traumës nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe “Goditja për shkak të detyrës”, shtetasit: F. D., 39 vjeç; H. H., 35 vjeç (të dy banues në Tiranë).

Këta dy shtetas në momentin e arrestimit të shtetasit F. K., kanë ndërhyrë duke kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës, punonjësit e “Forcës së Posaçme Shigjeta”, të cilët do bënin shoqërimin e shtetasit F. K., për në Komisariat.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.