Shqipëri/ Ulja e qepenave, opozita: Protesta masive nëse qeveria s’reflekton

10.04.2018 12:47:28

Në listën e protestave që janë zhvilluar në Shqipëri gjatë dy javëve të fundit, është shtuar sot edhe ajo e tregtarëve të bizneseve të vogla, të cilët me një qëndrim të unifikuar kanë ulur për një orë qepenat duke kundërshtuar përfshirjen e tyre në skemën e TVSH-së.

Në mbështetje të tyre u rreshtua që prej ditës së djeshme opozita, por sot me ndërmarrjen e hapave konkretë, deputetët e LSI dhe PD u gjendën krah sipërmarrësve të vegjël, duke ripërsëritur edhe njëherë se taksat e qeverisë Rama nuk duhet të paguhen.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku nga tregu i “Medresesë” në kryeqytet tha se “një qeveri që dhunon sipërmarrjen përmes taksave të larta nuk është më një qeveri e shumicës së qytetarëve por e një pakice që përpiqet të imponohet me dhunë”.

“Sot jemi në krahun e atyre që vendosin lirinë e tyre dhe të sipërmarrjes së lirë mbi dhunën arbitrare të një pushteti gati diktatorial. Taksat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë gjoba e qeverisë karshi sipërmarrjes sikundër kjo qeveri mendon dhe vepron”, u shpreh Tabaku.

Krahas demokratëve të pranishëm në tregje të ndryshme të Tiranës ishin edhe përfaqësuesit e LSI, nga të cilët u prononcua për mediat Endrit Braimllari. Ai paralajmëroi ashpërsimin e notës së protestës ndaj qeverisë nëse kjo e fundit nuk e ndal atë që opozita e quan sulm ndaj biznesit të vogël dhe popullit të thjeshtë.

“Nëse kjo qeveri nuk reflekton, të jeni të bindur që do të jetë masive, dhe do të kalojmë deri në një mbyllje totale të qepenave, që kjo qeveri të marrë njëherë e përgjithmonë mesazhin e qartë nga shqiptarët. Kjo qeveri nuk ka lënë rrugë tjetër për biznesin, nuk ka lënë rrugë tjetër për qytetarët e këtij vendi, nuk ka lënë rrugë tjetër për të rinj e të reja që po largohen përditë nga vendi dhe largohen për shkak të papërgjegjshmërisë e për shkak të kësaj qeverie. Të jeni të bindur se protestat do vazhdojnë, do jenë masive deri në largimin e plotë të Edi Ramës nga kjo qeveri sepse ky njeri nuk e meriton më ta drejtojë këtë vend dhe ky njeri nuk meriton më të drejtojë shqiptarët sepse ky nuk bashkëqeveris me qytetarët, por bashkëqeveris me një kastë të ngushtë njerëzish që janë aty vetëm për interesin e tij personal”, deklaroi Braimllari.