Shqipëri: Vjosa përmbyt 300 banesa. Vlora dhe Fieri në rrezik

02.12.2017 12:29:07

 Situata më e rënduar nga përmbytjet paraqitet në zonat që prek lumi Vjosë. Në bazë të një raporti të fundit nga Emergjencat Civile, bëhet me dije se 300 banesa në fshatrat Fitore, Bishan, Ferras, Poro dhe Frakull ndodhen nën ujë për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosa. Vjosa ka çarë argjinaturën në afërsi të urës së Mifolit dhe ka vërshuar drejt këtyre fshatrave.

Në këtë zonë ka prani uji dhe në 1,000 ha tokë, si dhe janë përmbytur 310 ha të tjerë. Në zonat e rrezikuara janë larguar dhe shumë krerë bagëti nga rreziku. Për përballimin e gjendjes janë angazhuar 710 forca dhe 152 mjete. Itensiteti i reshjeve ka rënë. Rreziku kryesor paraqitet në pellgun e lumit Vjosë, sidomos në Vlorë dhe Fier.

Për përballimin e emergjencës, strukturat shtetërore kanë punuar pa ndërprerje përgjatë natës. Forcat në terren kanë vijuar evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara, edhe pse në disa raste ka pasur rezistencë nga qytetarë të veçantë. Gjatë natës në kushte ekstreme janë zhvilluar me sukses disa operacione të kërkim-shpëtimit.

Rrugët janë mbajtur të lira. Vështirësi paraqet ende aksi Tepelenë-Gjirokastër, ku po punohet për heqjen e dheut në segmentin Shkallë e Zezë-Uji Ftohtë, ndërkohë që segmenti tek Ura e Viroit u zhbllokua. Gjithashtu, po punohet për zhbllokimin e akseve Tepelenë-Këlcyrë, Përmet-Çarshovë dhe Vlorë-Selenicë, ndërsa në akse të tjera po punohet për eliminimin e rrëshqitjeve të dherave.

OSHEE ka vijuar riparimin e defekteve për të mundësuar furnizimin me energji të qytetarëve. Aktualisht punohet për të stabilizuar gjendjen në nënstacionet e Zëmblakut, Maliqit, Radhimës dhe Memaliajt. Në vend janë pa energji 45,000 abonentë.

Nga avaritë gjatë natës janë dëmtuar ujësjellësit e Krujës, Ballshit dhe Bishqemit Fushë. Funksionimi i plotë i hidrovoreve ka qenë dhe mbetet një ndër elementët më pozitivë gjatë kësaj gjendjeje të rëndë. Situata do të vijojë të mbetet e rëndë dhe, për këtë arsye, kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet