Shqipëri/Vrasja e 25-vjeçarit/ SHÇBA fundos policin: Veproi në kundërshtim me procedurat, kapërceu…

08.12.2020 18:51:48

SHÇBA ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar në vend, ku një polic qëlloi për vdekje me armë zjarri 25-vjeçarin Klodian Rasha.

Në reagim, ndërsa sqaron rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, SHÇBA thekson se veprimi i efektivit të policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit.

“Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme”.

Ngjarja ndodhi në orën 01:45 të mëngjesit të sotëm, ku efektivi me inicialet N.H, u vu në ndjekje të të riut në rrugën “Dritan Hoxha”, pas sjellje të dyshimta tek ai.

Kronologjia e ngjarjes:

Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë.

25-vjeçari është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me policin, i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij.

Klodian Rasha ndërroi jetë në spital, ndërsa SHÇBA sqaron se në rrugicën ku tentoi të largohej i riu u gjet edhe një armë zjarri që dyshohet se i përkiste atij.

Dëshmia e policit:

Në dëshminë e tij, polici i akuzuar për vrasjen ka thënë se ka qëlluar pasi iu duk se viktima e kërcënoi duke i drejtuar armën.

“Isha turni i 3 ne pune. Pas instruktazhit ne komisariat kam nisur patrullimin ne zone për te pare zbatimin e ligjit dhe të masave të vendosura nga Komiteti Teknik. Kam konstatuar në unaze një dalë të ri që sapo na pa u largua me vrap në mënyre të dyshimte. Kam njoftuar sallën dhe i jam vënë në ndjekje ku herë pas here i kam bëre thirrje të ndalojë. I kërkova ta ndalojë për ta pyetur për arsyen e daljes por ai nuk u bind. Here pas here kthehej dhe m’u duk sikur më kërcënoi me armë dhe veprova”, ka thënë polici.

Njoftimi i SHÇBA:

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur në orët e para të mëngjesit në Tiranë, ku humbi jetën një 25 vjeçar, specialistët e SHÇBA u angazhuan menjëherë së bashku me grupin hetimor të ngritur për këtë qëllim.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, sqarojmë se:

Sot rreth orës 01:45, punonjësi i policisë N.H., efektiv i Patrullës së Policisë, gjatë shërbimit në rrugën “Dritan Hoxha”, ka qëlluar me armën e shërbimit shtetasin K.R., i cili ka gjetur vdekjen në spital.

Shërbimi i Policisë i përbërë nga dy punonjës, të dislokuar në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar gjatë patrullimit një shtetas, i cili sillej dhe kryente veprime të dyshimta, çka bëri shkak që Patrulla të kryente verifikimin e shtetasit.

Pas thirrjes së Policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij nëpër rrugica.

Në ndjekje e sipër, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se shtetasi kishte me vete një send në dukje armë zjarri, çka ka bërë që Patrulla të kërkojë përforcime nga Salla Operative duke dhënë rrethanat, adresën dhe karakteristikat e personit që po ndiqnin.

Shtetasi K.R. është larguar me vrap dhe në ndjekje e sipër është përballur me punonjësin e policisë N.H., i cili pasi nuk ka arritur të kapë dhe prangosë atë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij. Për pasojë ky shtetas është plagosur dhe më pas ka gjetur vdekjen në spital.

Menjëherë pas njoftimit është formuar grupi i posaçëm hetimor, i përbërë nga oficerë të Policisë Gjyqësore të SHÇBA-së, Policisë së Shtetit dhe i drejtuar nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, që ka kryer veprimet e para hetimore.

Gjatë hetimeve paraprake, si kqyrja e vendit të ngjarjes ku ka gjetur vdekjen shtetasi K.R., grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorit, administroi pamjet filmike të subjekteve private pranë vendit të ngjarjes. Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja dhe një predhë, që dyshohet se janë qitur nga arma e shërbimit të punonjësit të policisë N.H.

Nga grupi hetimor, gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, e gjetur në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë.

Nga hetimet paraprake është konkluduar se dyshohet se veprimet e punonjësit të Policisë N.H., bien në kundërshim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Ai nuk ka qenë në kushtet e përcaktuara në ligjin për përdorimin e armës së zjarrit, duke kapërcyer kufijtë e mbrojtjes së nevojshme.

Për sa më sipër, grupi i posaçëm hetimor, ka kryer arrestimin e punonjësit të policisë Inspektor N.H., për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Duke përfituar nga ky komunimim publik, shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe miqve të të ndjerit dhe garantojmë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për zbardhjen e plotë të ngjarjes me paanshmëri dhe objektivitet.