Shqipëri/ Zana Çela: Si ka ndryshuar Opera përgjatë një vit

Shqipëri/ Zana Çela: Si ka ndryshuar Opera përgjatë një vit

01.08.2018 13:49:10

Drejtoresha e Teatrit të Operas dhe Baletit Zana Cela ka analizuar punën e saj në krye të institucionit përgjatë një viti e gjysmë, duke e quajtur një vit të rëndësishëm për kulturën shqiptare. “Me marrjen e mandatit si Drejtore e Përgjithshme e Teatrit të Operas e Baletit, dhe Ansamblit Popullor një vit e gjysmë më parё, jam angazhuar në krye të stafit të Teatrit për ta kthyer Teatrin në një qendër të ekselencës, edukimit dhe inovacionit, duke siguruar një nivel të lartë dhe audiencë të gjerë.

Zgjerimi i audiencave, përfshirja në artin tonë të publikut të çdo kategorie dhe grupmoshe të shoqërisë e në veçanti të moshave të reja është garancia e vetme për vazhdimësinë me nivel të lartë të veprimtarisë së TKOBAP dhe realizimit të misionit të tij. Sigurisht nuk ishte e lehtë për të gjithë ekipin e TKOBAP të realizonte synime kaq ambicioze ndërkohë që godina e TKOB është në rikonstruksion”, tha Çela.

Sipas saj, objektivi ynë kryesor ka qenë garantimi i vazhdimësisë së veprimtarisë së institucionit gjatë periudhës së rikonstruksionit, duke shfrytëzuar skenat e Tiranës, qyteteve të tjera të vendit, ambientet “open air” dhe duke ruajtur formatin e plotë skenik të produksioneve opera dhe balet. Në 7-të muajt e parë të këtij viti TKOBAP ka realizuar gjithsej 57 shfaqe duke rritur me 58 % numrin e shfaqjeve në krahasim me vitin e kaluar kur janë realizuar 36 shfaqje. Po në këto muaj janë realizuar 19-të premiera në total, prej të cilave 3 premiera të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor dhe 16 koncerte premirë të orkestrës, korit dhe solistëve. Ndërkohë që vitin e kaluar u realizuan 7-të premiera nga të cilat 6-shtë koncerte dhe një balet.

”Në shfaqjet për periudhën Janar-Korrik 2018 kanë marrë pjesë 193,597 spektatorë ose 10 % më shumë se viti i kaluar, për të njëjtën periudhë. Produksionet gjatë këtij 7-të mujori u shfaqën në skenat e Tiranës, në Teatrot e qyteteve të ndryshme, në turin e jashtëzakonshëm veror në sheshet e mëdha të turizmit kulturor, por ishim edhe në skenat ndërkombëtare. Një tjetër objektiv sipas Çelës ka qenë dhe zgjerimi i audiencës ndërkombëtare. Gjatë muajve Janar-Korrik 2018 TKOBAP realizoi 16-të shfaqje jashtë kufijve të Shqipërisë. Kujtojmë këtu turneun e trupës së baletit në Itali me Stravaganza dhe Noces apo dhe turnetë e suksesshëm të Ansamblit Popullor në Belgjikë, Kroaci, Bullgari etj.

Një vit më parë TKOBAP në të njëjtën periudhë kohore mundi të realizonte 2 koncerte. Gjatë sezonit Janar-Korrik 2018 TKOBAP nënshkroi dy protokolle shumë të rëndësishme bashkëpunimi me Teatrot Kombëtare të Serbisë dhe Maqedonisë për herë të parë në historinë e këtij teatri. Këto protokolle do të hapin rrugën e bashkëpunimit e bashkëprodhimit e si pasojë zgjerimit të audiencave tona ndërkombëtare.

«Jemi angazhuar që TKOBAP, si institucion i ekselencës do të jetë vendtakimi për më të talentuarit, këngëtarë, balerinë, dirigjentë, regjisorë nga vendi dhe bota », tha Çela. Sipas saj, aktiviteti i TKOBAP gjatë 7-të mujorit të parë rezulton të ketë rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti me parë. Kujtojmë se gjatë muajve Janar –Mars 2018 në premierat tona si “Carmen” apo” Lakuriqi i natës” u aktivizuan artistë shqiptarë e të huaj si Gëzim Myshketa, Anbeta Toromani,Vikena Kamenica, Armaldo Kllogjjeri, Eva Golemi etje».

TKOBAP i ka dhënë mundësi më shumë artistëve të rinj të marrin pjesë në shfaqjet e kalendarit artistik duke e rritur këtë numër me 42% më shumë se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Përpos kësaj, TKOBAP ka rritur me 52% numrin e artisteve të rinj nën moshën 30 vjeçare nga njëra periudhe në tjetrën », tha Çela.