Shqipëria dështon edhe në miqësoren me Bosnjen

28.03.2017 21:30:29

Një tjetër humbje, Shqipëria nuk arrin të shikojë dritë në fund të tunelit. Një disfatë që nuk shkakton shumë dëme në shtëpinë kuqezi por që gjithsesi rendon atmosferën në radhët e Kombëtares Shqiptare që zhgënjeu në testin miqësor ndaj Bosnje Hercegovinës 2-1. Edhe pse ndaj një kundërshtari që la në shtëpi shumë prej yjeve, skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi u tregua e paqartë në mbrojtje dhe anemike në sulm. Me Dzeko dhe Lulic, të vetmit emra të njohur që xhiruan rreth një grupi që në Shqipëri zbriti me shumë ndryshime, Bosnje Hercegovina nxorri në pah limitet e kuqezinjve që zbritën në fushë me një formacion eksperimental ku risia më e madhe ishte mbrojtësi debutues Albi Alla, ndërsa në sulm që nga minuta e parë trajneri i besoi Balajt të mbështetur nga Llullaku e Hyka. Basha, Kukeli e Memushaj ashtu si në transfertën e Palermos nuk u kursyen nga De Biasi që e ndërtoi mbrojtjen me 4 lojtarë ku Hysaj e Aliji mbyllën krahet e dyshes Alla-Veseli. Strakosha në të dytën si titullar tregoi mungesë eksperience që në minutën e 6 kur bëri një dalje të gabuar ndaj Dzekos por bomberi i Romës u ndal në vijën fatale nga Hysaj. Pak sekonda më vonë, Aliji ndaloi në limitet e zonës së rreptësisë Krunic dhe për kryesorin Meçkarovski nuk kishte asnjë dyshim, 11 metërsh në favor të Bosnjes që u shndërrua në gol nga Edin Dzeko.

Llullaku nga e majta e sulmit arriti të jepte një sinjal të dobët por topi i tij përfundoi në duart e Begovic. Shqipëria pa ide dhe pa grintë gjatë minutave në vijim, ndërsa De Biasi bëri rokadë mes dy sulmuesve të krahut dhe Jahmir Hyka arriti të harkonte një top në zonë por askush nuk u gjend në vendin dhe momentin e duhur për ta shtyrë në rrjetë. Shkëndija të dobëta dhe aspak bindëse nga ana e Shqipërisë që fitoi terren por pa rrezikuar seriozisht. Bosnja cinike u shfaq sërish në zonën e kuqezinjve dhe këtë e bëri me një tjetër gol që u shënua nga lojtari i Lazios, Senad Lulic që ndëshkoi për herë të dytë Strakoshën.

Shqipëria e shokuar nga goli i dytë e dha sinjalin e fundit të kësaj pjese me Balajn që tentoi eurogolin por nuk arriti të kalibrohej. De Biasi ndërhyri menjëherë me rikthimin e skuadrave në fushën e lojës pasi Ajeti dhe Hoxha zëvendësuan Allën dhe Strakoshën. Hyka nuk kurseu energji me disa sprinte nga e majta por pavarësisht këmbënguljes së sulmuesit shtatshkurtër, Shqipëria nuk arriti të krijonte pothuajse asnjë rast deri në të 67-ën kur krosimi i Alijit nuk u devijua as nga Balaj dhe as nga Roshi. Gjithsesi, bomberi shkodran u korrigjua pak sekonda më vonë teksa bëri atë që di të bëjë më mirë, një gol force që rihapi ndeshjen.

Sërish Balaj që u duk më këmbëngulës pas golit por në të 76-ën, sulmuesi kuqezi u rrëzua në zonë. Hyrja e Cikalleshit në vend të Llullakut e rriti edhe më shumë focën sulmuese të Shqipërisë sepse 7 minuta nga fundi, shtatlarti kuqezi nuk arriti të shënjestronte kuadratin. Kaq mjaftoi në një ndeshje ku Kombëtarja e drejtuar nga Gianni De Biasi regjistron një tjetër disfatë që komplikon situatën përpara sfidës së Qershorit me Izraelin. Një skuadër e ridimensionuar pas pjesëmarrjes në Euro 2016 që mudn të vuajë mbi të gjitha ngarkesën psikologjike të mungesës së rezultateve.