Shqipëria dhe Kosova bashkëpunim për botimet rreth arkivave

27.12.2017 17:03:24

Gjatë një aktivitetit të organizuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, u promovua numri i ri revistës “Arkivi Shqiptar”, me pjesëmarrjen e drejtuesve të dy institucioneve dhe studiuesve në fushën e arkivistikës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës do të bashkëpunojnë për të botuar bashkërisht revistën “Arkivi Shqiptar”.

Gjatë një aktivitetit të organizuar sot nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë, u promovua numri i ri i kësaj reviste, me pjesëmarrjen e drejtuesve nga të dy institucionet dhe studiuesve në fushën e arkivistikës.

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, duke folur për mediat theksoi se redaksia e revistës përbëhet nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, të Agjencisë së Arkivave të Kosovës dhe të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, raporton Anadolu Agency.

“Prej këtij viti e në vijim revista shkencore e arkivistikës e vetmja në Shqipëri do të jetë një produkt i përbashkët mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe në të ardhmen e afërt edhe të institucioneve të trashëgimisë kulturore shqiptare në Maqedoni. Ne do të dalim me produkte reale, që ndihmojnë në zhvillimin e bashkëpunimit institucional konkret dhe të prekshëm ndërmjet të gjitha institucioneve në të gjitha trevat shqiptare që kanë të bëjnë me trashëgiminë tonë kulturore”, deklaroi Bido.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj, theksoi se: “Kohë më parë ne kemi nxjerrë bashkërisht një fjalor modest, me terma dhe kuptime unike arkivore që të unifikojmë terminologjinë arkivore dhe ky bashkëpunim vazhdon edhe me nxjerrjen e numrit të përbashkët të revistës ‘Arkivi Shqiptar’. Shpreh nevojën e këtij bashkëpunimi, sepse zhvillimet në sferën e veprimtarisë arkivore, si disiplinë shkencore kanë nevojë të unifikohen me një revistë të tillë të përbashkët”.

Kjo revistë shkencore botohet për herë të parë në bashkëpunim me Agjencinë e Arkivave të Kosovës dhe është një prej rekomandimeve që buron nga marrëveshja e përbashkët midis dy qeverive. Revista “Arkivi Shqiptar” ridel në qarkullim pas një mungese pesëvjeçare dhe do të përmbajë studime dhe shkrime të ndryshme që i përkasin fushave të arkivave dhe të institucioneve arkivore.